E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre bursa për fëmijët e policëve të vrarë në detyrë

Gjate ceremonise se sotme Tiranë, 28 Tetor, 13:00, NOA - Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, u zhvillua ceremonia e dhënies së tre bursave të studimit në këtë universitet për tre fëmijë të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Këto bursa u dhanë për Akil Shaqir Hoxha, Jonuz Hajrulla Tollja dhe Dorina Shaqir Dedej. Ceremonia u organizua nën kujdesin e zonjës Liri Berisha dhe stafit drejtues të Universitetit Europian të Tiranës. Në aktivitet ishin të pranishëm dhe zv. ministri i Brendshëm Gent Strazimiri, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Zonja Liri Berisha, Gent Strazimir dhe Ahmet Prençi i dorëzuan tre fëmijëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës tre bursa studimi për ciklin e parë universitar pranë Universitetit Europian të Tiranës, dy nga të cilat në Fakultetin Juridik dhe një bursë studimi në fakultetin Ekonomik. Ardian Civici, Rektor pranë Universitetit Europian të Tiranës theksoi se dhënia e këtyre bursave përbën një moment të veçantë për këtë universitet, pasi këto bursa jepen për 2 djem dhe një vajzë prindërit e të cilëve kanë dhënë jetën për garantimin e sigurisë së qytetarëve të këtij vendi. Ata kanë pasur një ëndërr për fëmijët e tyre dhe ne, duke ndjerë dhe një përgjegjësi morale, kemi kënaqësinë për të nderuar këto familje dhe fëmijët e tyre, duke çuar përpara ëndrrën e baballarëve të tyre, që këto fëmijë të jenë qytetarë të denjë të shoqërisë sonë, theksoi Civici. Zonja Liri Berisha falënderoi Universitetin Europian të Tiranës për iniciativën e ndërmarrë për të ndihmuar këtë kategori fëmijësh. Po ashtu Zonja Berisha përgëzoi për masivitetin e solidaritetin që gjeti kjo iniciativë edhe në universitetet e tjera, duke u kthyer kështu në një traditë. Këto tre studentë do të kenë mundësinë të studiojnë në një Universitet me kushte bashkëkohore dhe do të ndjehen krenarë për brezin e pedagogëve që u kanë dhënë mësim atyre dhe shpreh bindjen se ky vlerësim do të shpërblehet me rezultate në mësime nga të tre këto studentë, vuri në dukje në fjalën e saj Zonja Liri Berisha. Në emër të Ministrisë së Brendshme, zv. ministri Gent Strazimiri, falënderoi Znj. Berisha për iniciativën e ndërmarrë. Duke qenë në detyrën e zv. Ministrit të Brendshëm gjatë kontakteve me punonjësit e policisë kam pasur mundësinë të konstatoj që slogani Jetën mbrojmë me jetë, nuk është një slogan, por një premtim që ata e realizojnë çdo minutë, theksoi zv. ministri i Brendshëm. Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, gjatë fjalës së tij, në emër të Policisë së Shtetit dhe të familjeve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, falënderoi Zonjën Berisha për iniciativën e ndërmarrë, si dhe stafin e Universitetit Europian të Tiranës për kujdesin që tregojnë ndaj fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në detyrë. Ky është viti i dytë radhazi që Universiteti Europian i Tiranës ofron bursa studimi për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›