E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Apelit rrëzon Prokurorinë e Përgjithshme për Durrës–Kukës

24/12/2008  Zgjatja e hetimeve shpallet e pavlefshme, mbetet në fuqi vendimi i parë i gjykatës

TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit vendosi dje të rrëzoi pretendimet e Prokurorisë për të hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë që i ka shpallur të pavlefshme zgjatjet e hetimeve për të pandehurit Armand Teliti dhe Andi Toma nga data 6 nëntor deri më 6 dhjetor. Seanca u zhvillua dje në apel, ndërsa u drejtua nga gjyqtari Dalip Bushi. Në trup gjykues ishte edhe gjyqtarja Zegjine Sollaku. Kjo e fundit për shkak të konfliktit të interesit dha dorëheqjen. Sipas gjykatës, hetimet për Durrës – Kukës kanë filluar dy vjet më parë pikërisht në kohën kur bashkëshorti i saj Theodhori Sollaku ishte në krye të Prokurorisë. Më pas trupi gjykues dëgjoi palët të pranishme në seancën gjyqësore. Fillimisht ishte Prokuroria ajo që ka bërë ankim kundër vendimit të shkallës së parë, e cila tha pretendimet e saj kundër.

Hetimet e pavlefshme

Sipas Prokurorisë, vendimi i dhënë nga gjyqtari Sokol Tona që i bën të pavlefshme hetimet për muajin kur ato u zgjatën, është dhënë në kundërshtim me ligjin në fuqi. Por nga ana e saj mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Genc Gjokutaj tha se Prokuroria ka patur mjaft kohë për të kryer hetime të zgjatura dhe të përfundonte ato në kohën e duhur. Sipas tij, hetimet kanë filluar dy vjet më parë dhe brenda një muaji nuk do të dilte ndonjë gjë e re. Më tej ai shtoi se Prokuroria nuk ka prova për të fajësuar të pandehurit dhe për këtë arsye u munduan të zgjasin hetimet pa patur asnjë motiv. Ndërsa për Andi Tomën pas zgjatjes së hetimeve Prokuroria vendosi ta dërgojë si të pandehur në gjykatë, Armand Teliti përfitoi nga akuza duke u çliruar. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve gjykata vendosi të rrëzoi kërkesën e Prokurorisë duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhënë nga Sokol Tona, i cili quan të pavlefshme zgjatjet e hetimeve. Në këtë mënyrë, Prokuroria pëson një tjetër rrëzim. Tashmë pritet që një tjetër vendim ai i dhënë nga Fatmira Hajdari për pavlefshmëri të thirrjes nga organi i Prokurorisë të Lulzim Bashës për ta marrë si të pandehur. Apeli do ta shqyrtoi ankesën e akuzës disa ditë më vonë. Në të njëjtën kohë me vendimin e dhënë nga Apeli Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur datën për fillimin e gjykimit të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha.

Më 30 janar në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë vendos për dosjen që mban brenda sipas akuzës abuzimet me rrugën Durrës – Kukës. Kjo është një nga dosjet më të bujshme të marra në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur dje që seanca e parë ndaj Lulëzim Bashës të mbahet më 30 janar të vitit të ardhshëm. Pas hedhjes së shortit përcaktimi i seancës së parë gjyqësore ndaj ish-ministrit të Transporteve i akuzuar për shpërdorime fondesh për rrugën Durrës-Kukës është një tjetër hap i ndërmarrë nga Gjykata e Lartë. Dosja do të shqyrtohet nga një trup gjykues prej pesë anëtarësh. Relator i saj do të jetë gjyqtari Spiro Spiro dhe anëtarët e kolegjit janë Aleksandër Muskaj, Irma Bala, Perikli Zaharia dhe Besnik Imeraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›