E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Larte , Kandidatët kalojnë provën tek ligjet



Disa letra të ardhura nga qytetarët që ankoheshin për emrat e propozuar si anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë kanë qenë debati i vetëm në komision. Ata folën për meritat e tyre profesionale dhe karrierën që nga notat në shkollë, masterat dhe gjyqet e fituara, duke lënë me “gojën hapur” deputetët, të cilët nuk bënë asnjë pyetje

Letrat e qytetarëve që janë dërguar në adresë të Kuvendit për gjashtë emrat që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi për anëtarë në Gjykatën e Lartë shkaktuan debate dje në Komisionin e Ligjeve. Gjashtë anëtarët u paraqitën në seancën dëgjimore para deputetëve të komisionit duke shpalosur aftësitë e tyre profesionale. Ndërkaq, në duart e anëtarëve të komisionit ishin dosjet individuale për secilin prej tyre, mes të cilave, ishin letrat e qytetarëve, si dhe mendimi i institucioneve që Kuvendi u kërkoi informacion për punën dhe veprimtarinë e tyre. Opozita kërkoi me ngulm që letrat të mos merreshin parasysh, sepse Kuvendi duhet t’i trajtojë ata si profesionistë. “Kjo nuk është një seancë publike për qytetarët”, - tha Xhafa duke replikuar me kryetarin e këtij komisioni, Fatos Beja, i cili i konsideroi letrat në fjalë si pjesë të dosjeve që ishin përgatitur për çdo kandidat. Ajo që të dyja palët ranë dakord është se do të dëgjonin kandidatët një e nga një, por në këtë pikë deputeti Spiro Peçi ishte kundër, sepse kjo situatë i kujtonte procesin e anëtarësimit në Partinë e Punës dhe që të pranohej, kandidatit i duhej të dilte para një komisioni. Gjithsesi, pavarësisht këtij kundërshtimi që realisht lidhej me ndryshimet e reja në Rregulloren e Kuvendit, kandidatët paraqitën para anëtarëve të komisionit një pasqyrë të punës së tyre në vite. Aleksandër Muskaj, Arian Fullani, Evelina Qirjako, Andi Çeliku, Guxim Zenelaj e Majlinda Andrea folën për meritat e tyre profesionale dhe karrierën që nga notat në shkollë, masterat dhe gjyqet e fituara duke lënë me “gojën hapur” deputetët, të cilët nuk bënë asnjë pyetje.

Kryesisht, deputetët nuk u interesuan të bënin pyetje mbi atë çfarë prezantonin kandidatët, përveç Evelina Qirjakos, së cilës iu drejtuan disa pyetje nga deputeti Dash Sula i PD-së dhe Pandeli Majko i PS-së. Më tej, komisioni vazhdoi në pjesën e dytë të mbledhjes duke marrë një vendim pa praninë e mediave. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, konfirmoi më pas për mediat se parimisht të gjitha palët ranë dakord për gjashtë anëtarët, sepse sipas Xhafës, “komisioni ka arritur në përfundimin që të 6 kandidatët plotësojnë kriteret formale, kriteret kushtetuese dhe ligjore”. Megjithatë, edhe pa praninë e medieve, ishte vetë Xhafa që konfirmoi se vijuan debatet mbi mënyrën se si ishin plotësuar dosjet. “Natyrisht, pati edhe një debat, debat i cili u hap edhe në praninë tuaj, por që u zhvillua me tej gjatë diskutimit të komisionit, lidhur me mënyrën se si ishin përgatitur dosjet, lidhur me mënyrën se si ishte proceduar nga Kryetarja e Kuvendit duke bërë një përzgjedhje të selektuar dhe mbi të gjitha një përzgjedhje jo të njëjtit standard. Por gjithsesi, kjo u konsiderua si eksperiencë e parë, që të mund të kontrollohet më parë dhe më mirë e më qartë në praktikat e mëvonshme”, - tha Xhafa. Sipas Xhafës, mendimi i palëve që kandidatët plotësojnë kriteret ligjore e kushtetuese do të shprehet në raportin e Komisionit të Ligjeve për seancën, ndoshta të ditës së hënë, ku pritet të votohet për gjashtë kandidatët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›