Gjykata e Lartë; Becaj i ofron bashkëpunim në gjyqësor kreut të Kushtetueses italiane
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Italisë, z. Francesco Amirante, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, i shoqëruar dhe nga homologu i tij shqiptar, z. Vladimir Kristo, është pritur paraditen e djeshme nga kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, znj. Shpresa Becaj dhe anëtarë të tjerë të kësaj gjykate. Kryetarja Becaj shprehu interesimin e saj dhe të të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë mbi situatën dhe organizimin e gjyqësorit në Itali, duke u shprehur gjithashtu se gjyqësori shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar me kolegët e tyre. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Lartë, znj. Becaj bëri një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor në vendin tonë, duke e njohur kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Italisë, me mënyrën e funksionimit të pushtetit gjyqësor në Shqipëri dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, duke i përcjellë këtij delegacioni vlerësimet më të larta për arritjet, vlerat dhe traditën e jurisprudencës italiane dhe shkollës së të drejtës. Sipas kryetares Becaj, përpjekjet e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor për të fuqizuar autoritetin kushtetues të këtij pushteti e për të arritur standarde të larta në dhënien e drejtësisë, do të përforcohen edhe më shumë, duke vendosur kontakte bashkëpunimi me homologët tanë në Itali, me qëllim shkëmbimin e përvojave, përfitimin e asistencës së çmuar të kolegëve italianë, unifikimit të praktikës gjyqësore dhe përafrimit me standardet evropiane. Z. Amirante e siguroi znj. Becaj se do të bënte ç’është e mundur që Gjykata e Lartë e Shqipërisë të ketë marrëdhënie të ndërsjella me Gjykatën e Kasacionit në Itali. Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Italisë, i cili e vizitonte për herë të parë Gjykatën e Lartë në vendin tonë, z. Amirante, pasi bëri një përshkrim të sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin e tij, ka vlerësuar pa masë shkëmbimet e këtyre vizitave, duke e vënë theksin se tashmë ato duhet të jenë edhe të niveleve teknike dhe më bashkëpunuese, veçanërisht në zbatimin e praktikave në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, unifikimit të praktikës gjyqësore, zbatimit me korrektësi të afateve të gjykimit, e të tjera probleme të përbashkëta të të dyja sistemeve të drejtësisë. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Italisë ka ardhur në Shqipëri i shoqëruar edhe nga z. Ugo De Siervo, zv.kryetar i Gjykatës Kushtetuese, nga z. Franco Gallo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, z. Giuseppe Troçoli, sekretar i Përgjithshëm dhe znj. Maria Antonietta Biasella, shefe e Protokollit.