E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata; “Xubi”: Unë e vrava Tahirin, do shkoj prapë në burg



I akuzuar për ekzekutimin në kokë të emigrantit nga Fieri, Fatmir Avdillari pranon krimin para gjykatës, por pa dhënë më tepër shpjegime rreth ngjarjes. Prokuroria: Vrasja për hakmarrje, një vit më parë u vra vëllai i Avdillarit

Gjakftohtë pranon krimin para togave të zeza, madje duke shpjeguar se kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu dhe nuk e kishte problem që do hynte prapë. Nuk kundërshtoi asnjë fjalë nga ato që deklaroi prokurori gjatë caktimit të masës së sigurisë, por shtoi vetëm: “Unë e vrava Tahirin, do shkoj prapë në burg edhe pse kam pak kohë që kam dalë”. “Xubi” i Yzberishtit ka pranuar pa asnjë ngurrim para gjykatës autorësinë e vrasjes së 37-vjeçarit, ndërsa gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. 36-vjeçari Fatmir Avdillari ka deklaruar para gjykatësit të gatshëm, Sokol Tona, se ishte autori i krimit dhe e pranonte atë që kishte kryer, pavarësisht se ky fakt e çonte sërish në burg. Ndërkohë, lidhur me akuzat ndaj Xubit, prokurori i çështjes, Etjen Kapo, i ka shpjeguar gjykatës se ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ka ndodhur një javë më parë në rrugën “Irfan Tomini”, pranë një lokali në afërsi të “Pallatit me shigjeta”, tek Ura Teknologjike. Sipas akuzës, krimi është kryer për motive të hakmarrjes dhe kishte disa kohë që ishte përgatitur nga ana e të pandehurit. Mësohet se prokurori i ka shpjeguar gjykatës se “Xubi” gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore, kishte deklaruar arsyet e ekzekutimit të Tahirit. Akuza i ka shpjeguar gjykatës se i pandehuri ka deklaruar me vullnetin e tij që pasi kishte dalë nga burgu kishte marrë informacione për vrasjen e vëllait të tij në Greqi, Fiqiriut, për të cilën dyshonte se autor ishte viktima. Më tej, sipas akuzës, ai kishte shpjeguar se për viktimën kishte marrë informacione që do të vinte në Shqipëri, prandaj kishte blerë dhe armën pistoletë me silenciator, tip “TT”, me të cilën e ka qëlluar vetëm një herë në kokë. Sipas burimeve nga gjykata, i pandehuri kishte shpjeguar se prej një jave ishte vënë në ndjekje të viktimës dhe e kishte qëlluar atë sapo ishte duke dalë nga lokali. Pasi ka shpjeguar rrethanat e ngjarjes, akuza i kërkuar gjykatës që të caktonte ndaj 36-vjeçarit masën e sigurisë “arrest me burg”, masë kjo e caktuar edhe nga gjykata. Avdillari i njohur me pseudonimin “Xubi” i Yzberishtit akuzohet për veprën penale të “vrasjes me paramendim”. Pas njohjes me akuzën dhe me masën e sigurisë, “Xubi”, nën masa të rrepta sigurie është shoqëruar për në paraburgimin 313 “Jordan Misja”, ku edhe do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve të tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›