Përurimi; Rinovohet gjykata, 410 mijë euro mbështetje nga KE-ja
Helmuth Lohan e Enkelejd Alibeaj përuruan dje rinovimin e gjykatës në qytetin bregdetar. Lohan deklaroi se “tullat nuk janë thjesht tulla dhe 410 mijë euro të investuara në rinovimin e Gjykatës së Rrethit Sarandë synojnë më tej. Ato synojnë të rrisin profesionalizmin e punës së gjyqësorit. Kjo ndihmë “e ngurtë” plotëson atë që misionet e tjera të ndihmës, si EURALIUS, bëjnë me të ashtuquajturat ndërhyrje “të buta”, si ngritja e kapaciteteve, këshillimi ligjor dhe strukturor”
Gjykata e Sarandës tashmë do të ketë një pamje më të re nga ajo që i është ofruar publikut më parë. Rinovimi dhe pajisjet e kësaj gjykate janë mundësuar përmes një fondi të vënë në dispozicion nga Komisioni Evropian dhe bëhet fjalë për 410.000 euro. Gjatë vizitës së tij katërditore në Jug të vendit, shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përuruan gjykatën e saporinovuar dhe pajisur të rrethit të Sarandës. Ceremonia e përurimit u organizua pasditen e djeshme. Problemet kryesore të ndërtesës, të cilat projekti i ka adresuar suksesshëm, ishin mungesa e një dhome për të pandehurit, e një sistemi sigurie, e masave të parandalimit të zjarrit, e rrjeteve kompjuterike, si edhe lagështira, plasaritja e mureve etj. Në kuadër të ndihmës për reformën gjyqësore në Shqipëri, Komisioni Evropian vazhdon të financojë një sërë projektesh për infrastrukturën gjyqësore, ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimet. Përforcimi i pavarësisë së gjyqësorit shqiptar dhe përmirësimi i eficencës së tij është një nga synimet kryesore të bashkëpunimit të KE-së me qeverinë shqiptare në procesin e stabilizim-asociimit. Infrastruktura e mjaftueshme gjyqësore është një parakusht i rëndësishëm që gjykatësit, prokurorët, juristët dhe administrata gjyqësore të punojnë me efektivitet dhe të ndihmojnë në zhvillimin e një sistemi gjyqësor më të pavarur, të paanshëm, efiçent, profesional, transparent dhe modern. Rinovimi dhe pajisja e Gjykatës së Rrethit Sarandë, po ashtu si Gjykatat e Apelit të Korçës dhe Vlorës dhe Gjykatës së Rrethit Dibër të përfunduara më parë, burojnë nga “Masterplani për Infrastrukturën Gjyqësore”, i cili identifikoi këto gjykata si parësore për investime. Masterplani, i përgatitur nga KE dhe autoritetet shqiptare në 2005, paraqet një pasqyrë të plotë të situatës së gjykatave në Shqipëri dhe nxjerrë rekomandime për investime në këtë sektor gjatë 15 viteve të ardhshëm. Duke falënderuar të gjitha palët që ndihmuan në zbatimin e suksesshëm të këtij projekti, ambasadori Helmuth Lohan vuri në dukje përqasjen gjithëpërfshirëse dhe plotësuese të ndihmës së KE-së për reformën në drejtësi: “Në këtë rast, ne kemi mbështetur ngritjen e infrastrukturës së mjaftueshme fizike, kaq e nevojshme nëse kemi parasysh vështirësinë me kushtet e mëparshme të punës. Por tullat nuk janë thjesht tulla dhe 410.000 euro të investuara në rinovimin e Gjykatës së Rrethit Sarandë synojnë më tej. Ato synojnë të rrisin profesionalizmin e punës së gjyqësorit. Kjo ndihmë “e ngurtë” plotëson atë që misionet e tjera të ndihmës si EURALIUS bëjnë me të ashtuquajturat ndërhyrje “të buta”, si ngritja e kapaciteteve, këshillimi ligjor dhe strukturor”. Gjithashtu, ai theksoi se “në mënyrë që qëndrueshmëria e kësaj arritje të garantohet së bashku me zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës gjyqësore, autoritetet shqiptare duhet të mendojnë për nevojat operative dhe për mirëmbajtjen e kësaj ndërtese dhe të tjerave si kjo, ndërtimi i të cilave është mbështetur në masë të madhe nga Komisioni Evropian”. Gjatë turit të tij katërditor në Jug të vendit, ambasadori Lohan vizitoi disa projekte që synojnë të ndihmojnë zhvillimin e përgjithshëm të Shqipërisë nga drejtime të ndryshme, si arsimi, barazia gjinore, mbrojtja e mjedisit, infrastruktura rrugore, siguria e kufijve e kështu me radhë. Për të vlerësuar drejtpërsëdrejti ndikimin e ndihmës së KE-së, ambasadori Lohan u takua dhe diskutoi me banorët vendas, bizneset, shoqërinë civile dhe akademike.