E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria dhunon të drejtat themelore të njeriut

Qindra banorë të fshatrave që u dëmtuan nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec, do të duhet të lënë hotelin në Durrës, ku strehohen që nga dita kur shtëpitë e tyre u shkatërruan, sepse aty tani do të pushojnë oficerët e Ministrisë së Brendshme. Qeveria kishte lajmëruar se ata duhej ta zbraznin hotelin që në ditën e parë të stinës së verës, por reagimi i banorëve bëri që ky vendim të shtyhej dhe për një javë, por jo më tej. Pra banorët, në fund të javës tjetër, duhet të gjejnë vetë strehë dhe të ikin në qetësi për t‘ua lënë vendin nëpunësve të policisë për të nisur sezonin e pushimeve verore.

Përtej ironisë së faktit se qindra të pastrehë, viktima të shtetit, po hidhen në rrugë për t‘i liruar vendin disa nëpunësve të shtetit për të bërë pushime, veprimi i qeverisë është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Ata u njoftuan me megafon që të përgatisnin plaçkat e të iknin nga hoteli, në një udhë pa adresë, sikur të ishin të internuar në një kamp përqendrimi, i cili u mbyll në mënyrë të beftë. Qeveria u ka akorduar atyre nga një shumë parash, që do të shpenzohet për të paguar qiranë dhe i urdhëroi të dilnin jashtë, edhe pse paratë ende nuk i kanë marrë dhe ende nuk kanë gjetur shtëpi. Dhe ata do të kishin dalë në rrugë të madhe, me fëmijë e plaçka në krah, nëse nuk do të kishin protestuar për të fituar edhe një javë kohë. Kjo është një flagrancë që nuk duhet të kalohet nga pjesa tjetër e popullsisë, klasa politike dhe organizatat e shoqërisë civile që operojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Ky veprim duhet denoncuar si i tillë dhe të arkivohet edhe në raportet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Po! Ky është një maskarallëk po aq i madh sa dhe ai që solli tragjedinë e Gërdecit. Ka disa arsye se përse veprimi i qeverisë është i paprecedentë dhe në këtë drejtim. Ata banorë janë të detyruar të jetojnë në një ndërtesë kolektive, sepse shtëpitë e tyre nuk janë të banueshme ose janë shkatërruar fare. Ata banorë nuk janë viktima të ndonjë tërmeti apo përmbytjeje. D.m.th, fshatrat nuk u shkatërruan nga ndonjë fatkeqësi natyrore. Edhe sikur të ishte kështu, qeveria e ka për detyrë që t‘u sigurojë shtetasve të saj strehë dhe ushqim për mbijetesë, por në rastin konkret, ishte vetë qeveria autorja e gjëmës. Ishte ajo që me babëzinë e korrupsionin që kishte pushtuar Ministrinë e Mbrojtjes shkaktoi Gërdecin, shkaktoi shpërthimin, shkatërrimin e shtëpive, dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur. Ndaj, në këtë rast, përgjegjësitë e qeverisë janë dhjetëfish më të mëdha. Ata nuk duhet të dalin nga hoteli apo ndonjë strehim tjetër i siguruar nga qeveria, derisa shtëpitë të jenë rikthyer në gjendjen normale dhe atyre t‘u jetë kompensuar çdo dëmtim tjetër, deri në qindarkën e fundit, sikurse thotë edhe Kryeministri ynë. Ata nuk i kanë asnjë faj askujt. Nuk ishin ata që i bënë shtëpitë pranë kantierit të çmontimit të predhave, por ishte qeveria që e ndërtoi kantierin m‘u në mes të zonës së banuar.

Qeveria duhet të shkojë e tëra në kishë a xhami një herë në javë, ku të lutet e të falet për atë gjëmë që u bëri njerëzve të saj, pastaj të mendojë t‘i nxjerrë ata në rrugë. Atyre njerëzve që sot u kërkohet të dalin në rrugë, ende nuk u janë tharë lotët për të afërmit që humbën. Ata panë të dashurit e tyre të digjeshin së gjalli, të copëtoheshin e masakroheshin. Ka mes tyre, njerëz që në vend të trupave të pajetë të të afërmve, varrosën vetëm një copë krah apo këmbë, pasi ishin të shumta viktimat që s‘u gjetën kurrë. Gërdeci është ende një zonë rreziku dhe krateri i tij është i rrethuar ende nga shiritat e policisë. Banesat janë ende të rrënuara, pa çati, me mure të çara e kolona të rrëzuara. Gërdeci e fshatrat e tjerë të prekur nga shpërthimi janë ende një dëshmi e gjallë e një krimi shtetëror me përmasa të llahtarshme. Ndërsa politika është bërë bashkë dhe nuk po dorëzon te drejtësia të akuzuarin kryesor të kësaj katrahure, ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, qeveria po i jep dorën e fundit historisë së Gërdecit, duke nxjerrë nga hoteli qindra të pastrehët dhe ta konsiderojë përfundimisht të mbyllur këtë hata.

"Për ne Gërdeci është i tejkaluar", - tha pa pikë turpi deputeti i zonës pak ditë më parë në Kuvend. Vërtet për z. Patozi dhe shefat e tij, Gërdeci mund të jetë i tejkaluar, por ai është ende një varr për ata që jetonin e duhet të jetojnë aty. Ai nuk duhet të jetë i tejkaluar për pjesën e shëndoshë të shoqërisë, që ka ende ndërgjegje, humanizëm dhe kurajë për të kërkuar drejtësi. Qeveria mjaftohet me lëvrimin e parave dhe e konsideron të mbyllur këtë histori. Së pari, qeveria nuk ka pse e rëndon koston e tragjedisë me disa qindra miliona lekë më shumë për t‘u paguar qiranë, për gjashtë muaj a më shumë, mbi 300 e ca familjeve, kur hoteli ku qëndrojnë ata është në pronësi të shtetit. Por, meqë e ka zgjedhur këtë si mënyrë zgjidhjeje, askush nuk duhet të mendojë që t‘i nxjerrë ata në rrugë pa siguruar më parë shtëpitë, një proces që, të gjithë jemi koshientë, nuk mund të bëhet brenda pak ditësh. Gjithashtu, në po të njëjtën mënyrë, qeveria duhet t‘u sigurojë banesë të përkohshme edhe atyre dhjetëra familjeve që jetojnë në çadra në këtë stinë të nxehtë, si të ishin refugjatë lufte të një vendi tjetër, të cilëve ne u kemi ofruar një pëllëmbë tokë. Qeveria duhet t‘u paguajë atyre edhe shpenzimet për ushqimin, pasi ata nuk mund ta shfrytëzojnë tokën e tyre për të mbjellë perime, për të ushqyer bagëtitë apo për çfarëdo tjetër që i shërben jetesës në fshat. Qeveria u detyrohet në çdo gjë atyre banorëve, sepse ata janë sot në këtë gjendje jo për faj të tyre, natyrës apo Zotit, por vetëm e vetëm për faj të qeverisë.

Në çdo vend, ku shoqëria është demokratike e vepron ligji, edhe nëse dëmtohesh gjatë punës në një sipërmarrje, dëmtohesh nga pakujdesia e dikujt tjetër, apo makar edhe nëse të shket këmba në një supermarket për shkak se personeli nuk e ka pastruar mirë dyshemenë, atëherë qytetarit i mbulohen shpenzimet e kurimit, gjykata i njeh një dëmshpërblim e madje edhe sipërmarrësi i paguan edhe orët e punës që ai mungoi për shkak të raportit mjekësor. Qeveria shqiptare varrosi së gjalli 30 njerëz, plagosi nja 300 të tjerë, shkatërroi nja 5 fshatra të tërë dhe tani ka kurajën e nxjerr në rrugë të pastrehët e kësaj katrahure, autori i së cilës është vetë. Në kushtet kur qeveria dhe politika në tërësi, është e zhytur këmbë e kokë në këtë histori, kur me autorët e Gërdecit politikanët majtas e djathtas, në pushtet a opozitë, i lidhin njëmijë fije të zeza, duhet të jetë pjesa tjetër e shoqërisë që t‘u dalë në krah viktimave qeveritare. Ushtria e OJF-ve që raportojnë edhe mungesën e televizorit në dhomat e burgut, duhet të denoncojnë publikisht dhe ligjërisht këtë maskaradë dhe shkelje të hapur të drejtave themelore të njeriut. Meqë politika shqiptare, në kuadër të konsensusit "historik", ka vendosur ta harrojë shpejt e shpejt Gërdecin, duhet të jetë pjesa e shëndoshë e shoqërisë që t‘u dalë në krah atyre fatkeqëve, të cilët si gjithë ne të tjerët kanë të drejtën të jetojnë në këtë tokë. Ata nuk janë të tepërt në dheun e tyre, edhe pse tashmë është i mbushur me predha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›