Prishtina zyrtare dënon dhunën në Maqedoni
Zgjedhjet e përgjakshme në Maqedoni kanë ngjallur reagime të ashpra edhe në Prishtinë. Qeveria e Kosovës është distancuar nga dhuna që shoqëroi procesin zgjedhor, ndërkohë që një takim mes Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës pikërisht për këtë punë u realizua larg syrit të mediave. Sejdiu deklaroi më pas se ndërtimi i institucioneve duhet të bëhet mbi bazë të votës së lirë dhe se duhet të shmangen grindjet. Më i ashpër në deklarata ka qenë Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai tha se "ne konsiderojmë se koalicioni nuk ka siguruar dhe nuk ka garantuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe e mban përgjegjësinë për gjithë atë që ka ndodhur jo vetëm në ditën e 1 qershorit ku ka pasur viktima, por gjatë gjithë kohës. Ne mendojmë se çështjen e shqiptarëve në Maqedoni nuk mund ta zgjidhë një koalicion qeverisës, që në thelb ka nota të antishqiptarizimit dhe në anën tjetër nuk mund ta zgjidhë çështjen e shqiptarëve atje ajo forcë, ose ata individë që gati dy dekada nuk kanë bërë kurrfarë zgjedhjeje për qytetarët shqiptarë në Maqedoni". Ndërsa nënkryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri Kosumi, tha se fillimi i fushatës zgjedhore ka qenë i vështirë. Ai ka paralajmëruar një proces të komplikuar, ku klasa politike në Maqedoni nuk ka arritur ta kontrollojnë si duhet këtë proces ku ka eskaluar me dhunë.