Evropa ka nevojë për Shqipërinë
Artan Fuga
Shqipëria aplikoi zyrtarisht kandidimin për anëtarësim në BE. Ky moment është përjetuar në mënyra të ndryshme nga qeveria dhe opozita. Edhe mediat kanë reflektuar qëndrime të ndryshme. Sa i rëndësishëm është ky moment për Shqipërinë, si në zhvillimet e brendshme edhe ato ndërkombëtare? Si e shikoni qëndrimin e palëve politike, po atë të mediave dhe vendeve anëtare të BE-së?
Gjithmonë jam shprehur përpara lexuesit tonë se Shqipëria do të bënte mirë ta depozitonte sa më shpejt që të ishte e mundur kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithëse besoja se Evropa ende nuk mund të mendojë se është gati që të zgjerohet drejt Ballkanit Perëndimor, apo që ta pranojë Shqipërinë veçmas një politike rajonale më gjithëpërfshirëse. Këtu duket sikur ka një kontradiktë, por në gjykimin tim nuk është veçse një rast i zakonshëm i kontekstit eksitues nëpër të cilin zhvillohet politika. Politika është gjithmonë një farë kalimi nëpër një shteg të ngushtë, ku shpeshherë anash ka hapësira boshe marramendëse. Prandaj edhe është e bukur.
Po marr disa çështje me radhë, sepse vë re se ndonjëherë ato ngatërrohen nga zëra të ndryshëm shumë të politizuar në shtyp. Problemi i parë ka të bëjë me kohën e dorëzimit të kërkesës shqiptare për anëtarësim. Aq më shumë që u shfaqën edhe zëra nga përfaqësues të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, të cilat sikur gjykonin se kjo kërkesë po bëhej më herët sesa duhej dhe se duhej pritur ende.
Ky qëndrim i përfaqësuesve evropianë mua më është dukur i natyrshëm, po aq sa edhe insistimi i palës shqiptare për të bërë të kundërtën. Në një farë mënyre, diplomatët evropianë në Tiranë ishin të detyruar ta mbanin atë qëndrim. Diplomaci e vërtetë. Por, gjykoj se kishim të bënim me një strategji komunikimi politik dhe diplomatik. Jo gjithmonë ajo që thuhet e deklarohet në komunikimin politik interpretohet në mënyrë univoke, pra me një kuptim. Ata kishin deklaruar se ishte shpejt për ta paraqitur kërkesën e pranimit, por kurrë nuk thanë se “e ndalojmë Shqipërinë për ta paraqitur këtë kërkesë”. Si mund ta thoshin këtë të fundit? As nuk kanë thënë ndonjëherë se nëse pala shqiptare e depozitonte këtë kërkesë, organet e presidencës evropiane, në këtë rast autoritetet çeke, nuk do ta pranonin këtë paraqitje.
Pjesa më e madhe e shtypit kur i analizonte këto deklarata, nuk kuptonte hollësitë, nuancat e deklarimeve, dhe pas “jo”–ve të shprehura, nuk arrinte të dallonte se kishte një dritë të gjelbër, një “po” me nëntekst. Ky është komunikimi diplomatik, kërkon të analizohet në mënyrë shumë të hollë. Por, do t’i formojmë edhe ne specialistët e komunikimit. Mos u mërzitni! Departamenti i gazetarisë në Universitetin e Tiranës ka një plan afatgjatë në këtë drejtim, i cili do të japë frytet e tija shumë shpejt.
Jo pak herë në komunikim “po”–ja është “jo” dhe “jo”–ja është “po”, sikurse edhe në dashuri, kur dikush i turpëruar dhe i zënë në befasi nga propozimi i tjetrit thotë menjëherë “jo”, por insistuesi e lexon këtë përgjigje si “po”, pra hezitimin e shfaqur e merr si pranim.
Unë e kuptoj këtë lloj hezitimi që shfaqej këtu, ndërsa autoritetet evropiane tepër të rëndësishme e përshëndetën vullnetin shqiptar për ta bërë kërkesën zyrtare. Evropa sot nuk ka ndonjë dëshirë të spikatur që rasti shqiptar të influencojë edhe fqinjët e vetë ballkanikë. Imagjinoni sikur edhe Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja, etj., të trokisnin në dyert e Evropës duke i “lënë në derë” të njëjtën kërkesë! Do të kishte qenë një situatë e vështirë për Bashkimin Europian. Nga njëra anë do të dëshmohej masivisht se Ballkani Perëndimor e paska pasur të fuqishëm vullnetin e vet pro-evropianist, dhe nga ana tjetër do të tregohej se Bashkimi Europian nuk do ta kishte pasur aftësinë përthithëse, integruese lidhur me këtë zonë. Kuptohet që strategët e komunikimit politik evropian, sikurse e gjykoj këtë çështje unë, nuk do të kishin korrur sukses po të ndodhte kjo. Pra, duke folur për kohë të tjera më të përshtatshme lidhur me pranimin e kërkesës në fjalë, ata nga njëra anë përpiqeshin të evitonin ndonjë “epidemi” kërkesash, dhe nga ana tjetër të mos ia mbyllnin krejt derën insistimit shqiptar.
Pra, kur kërkesa shqiptare mbërriti, sigurisht do t’i thoshin me sinqeritet: Mirëserdhe!
Qenan K. më ka treguar një rast të ngjashëm: Në derën e shtëpisë së dikujt, një mbrëmje trokiti një mik, por i zoti i shtëpisë, ngaqë ishte pak vonë, më duket se kishte rënë për të fjetur, prandaj bënte sikur nuk e dëgjonte trokitjen. Por, miku i ardhur kishte qëlluar këmbëngulës. I bindur se po vinte për të bujtur te një mik, i shpeshtoi trokitjet. Përsëri asgjë. Miku ishte gjithmonë e më i vendosur për ta kryer atë vizitë. Zhurmat mbi derë u bënë edhe më të forta, goditjet edhe më të fuqishme, donte patjetër ta takonte me mall të zotin e shtëpisë. Përsëri asgjë nuk pipëtinte pas dere, heshtje, errësirë e plotë. Atëherë, miku nisi jo vetëm ta godasë atë portë, por edhe ta shtyjë me supe, tanimë në ankth se mos të zotit të shtëpisë diçka i kishte ndodhur që nuk dëgjonte. Përsëri asnjë përgjigje. Mori hov, e shtyu tutje derën, e hodhi matanë atë, dhe u gjend në korridorin gjysmë në errësirë të shtëpisë. Atje, i zoti i shtëpisë, me pizhame, pas dere, që po priste të shihte se çfarë do ndodhte, pasi konstaton se dera nuk i kishte rezistuar dëshirës së mikut për të hyrë, e rrok në qafë, i jep dorën dhe i thotë me dashamirësi: Mirëserdhe!
Unë gjykoj se Evropa nuk ishte e gatshme që të përballonte një epidemi kërkesash të ardhura nga vendet evropiane, kurse kërkesën e një vendi të vetëm si Shqipëria, e priste me kënaqësi. Nuk përbënte asnjë problem. Insistimi shqiptar përkundrazi merret si një arritjet e madhe e evropianistëve, sikur edhe unë e mbaj veten time, për të vërtetuar se vullneti i popujve të Ballkanit Perëndimor, së paku i shqiptarëve, është i palëkundur për t’u integruar në Evropë. E dëshiron dhe e mirëpret Evropa dhe opinioni evropian këtë qëndrim. Ata na lexojnë ndryshe. Nga takime të panumërta që kam me gazetarë evropianë dhe me specialistë të komunikimit në Evropë, kam vënë re se ata as nuk e diskutojnë më fare se vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, kanë ardhur fare pranë pranimit në Bashkim dhe nuk kanë më asnjë dyshim se Bashkimi Europian do të zgjerohet së shpejti në këtë rajon. Vështrimi i tyre është i çuditshëm, por ç’na duhet ne sesi na shohin, rëndësi ka të integrohemi. Ata na lexojnë si shqiptarë, shumicë myslimane, që përfaqësojnë një qytetërim të butë, me harmoni fetare, me fe të moderuara, që duke hyrë në Evropë, do të dëshmojnë mundësitë e harmonisë fetare mes evropianëve të krishterë, hebrenj dhe myslimanë. Rasti shqiptar iu duket shumë interesant, aq më tepër se vërteton, gjithmonë në sytë e tyre, se një farë shtrirje gjeografike që vjen nga Turqia, del në Bosnjë, shtrihet nëpër një pjesë të Maqedonisë e në Kosovë, për të përfunduar në Shqipëri, nuk është pengesë për vlerat e qytetërimit evropian, përkundrazi është pjesë e tij. Në këtë kontekst, shoqëria shqiptare, iu paraqitet më e emancipuara. Nuk e kanë keq këtë konstatim të fundit, pavarësisht se unë e di që lexuesi shqiptar mund të shokohet pakëz nga mënyra sesi na lexojnë disa specialistë të huaj të komunikimit dhe të gjeopolitikës. Komunikimi politik ndërkombëtar kështu është, secili ka gjuhën e tij, duhet gjithmonë një “përkthim”. Duhet pranuar gjuha e tjetrit. Por, fakti mbetet, politikisht shqiptarët kanë arsye të konsiderohen si populli më proevropianist i Ballkanit. Shihni nivelin e migrimit të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian! Shihni sesa fitojnë ata nga ndërhyrja e Perëndimit dhe e Evropës lidhur me pavarësimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës!
Shihni tregtinë e tyre me vendet e Evropës!
Shihni mediat e tyre, televizionet, në radhë të parë, sesi janë kthyer ekskluzivisht nga Evropa e Perëndimi! – do të thoshte kushdo që na njeh.
Sigurisht që ne, si popull me fe të ndryshme, jemi më kozmopolitë se popujt e tjerë ortodoksë të Ballkanit Ky aspekt, veç të tjerash, na shkakton edhe një farë harrese të trashëgimisë sonë kulturore, të identitetit tonë lokal. Popujt e tjerë janë më të kujdesshëm në këtë drejtim, por kjo, gjithsesi, është një çështje tjetër. Pra, Shqipëria ka nevojë sigurisht për Bashkimin Europian, por Bashkimi Europian ka edhe më shumë nevojë për Shqipërinë. Në të gjitha planet: ekonomike, turistike, gjeopolitike, gjeo-ekonomike, kulturore, turistike, ushtarake etj. Këtu duhet t’i kuptojmë mirë argumentet dhe të mos flasim kot e më kot. Sepse edhe për hyrjen në NATO kështu arsyetonin disa. Thoshin se nuk është Shqipëria që plotëson standardet, por se NATO ka nevojë që Shqipëria të hyjë atje. Unë për vete nuk i shoh kontradiktore këto opsione. Janë plotësuese. Nëse Bashkimi Evropian nuk ka nevojë për Shqipërinë, sado të përpiqet Shqipëria të plotësojë standardet e veta integruese, asnjëherë ajo nuk do të pranohej. Një integrim, cilido qoftë ai, është gjithmonë një interes dypalësh, një dëshirë dypalëshe, sikurse një martesë.
Është për të ardhur keq kur probleme që kanë të bëjnë me interesat ndërkombëtare të vendit ngatërrohen me interesa politike të të gjitha palëve në kushtet e një fushate paraelektorale. Është e padyshimtë që Partia Demokratike po e përdor hyrjen në NATO të vendit tonë, sikurse edhe faktin e pranimit të dorëzimit të kërkesës zyrtare shqiptare nga ana e presidencës evropiane, edhe për qëllime elektorale. Por, nuk kuptoj dot megjithatë se ku është problemi këtu ? Çfarë më duhet mua kjo si qytetar ? Po ky është pikërisht ai që quhet mekanizëm zhvillimi që përmban demokracia. Çfarë do ta donim demokracinë po të mos kishte edhe këtë funksion promovimi të zhvillimit përtej-politik? Gara elektorale ka kuptim jo për të zënë kolltukë deputetësh sikurse e kuptojnë shpesh disa politikanë. Nga rivaliteti politik mes partive ndërtohen ura, rrugë, rriten pensione, përmirësohen kuadre ligjore, nënshkruhen marrëveshje, kryhen procese integruese, dhe kështu me radhë. Ne qytetarët tani në fushatë elektorale kemi rastin “ta rrjepim politikën”, në kuptimin e mirë të fjalës. Kjo është gjëja më e natyrshme në botë. A ka parti në botë që nuk e përdor aksionin politik për propagandë politike dhe propagandën politike për aksion politik? Nuk besoj se gjendet një e vetme për të bërë të kundërtën.
Është e qartë se Bashkimi Evropian nuk i ka sot mundësitë për të na pritur menjëherë brenda rrethit të vendeve që e përbëjnë atë. Këtë e di edhe “bufi”. Nuk do shumë mund për ta kuptuar atë. Ka vështirësi politike, sepse institucionet e tij duhen reformuar para sesa të zgjerohet vetë Bashkimi. Kriza ekonomike bën të vetën. Dëshiron të ruajë ekuilibra ballkanikë, duke preferuar ta pranojë gjithë rajonin njëherësh. Me një fjalë, ne na vonojnë popujt fqinjë.
Por, kujdes dallimet, kujdes nuancat, kujdes hollësitë në komunikim, duhet hequr dorë nga gjuha e drunjtë që i kupton situatat në mënyrë shumë globale, aspak elastike, aspak fine. Askush nuk thotë: “Na pranoni qysh tani!”, thuhet vetëm: “Pranoni kërkesën tonë për të na pranuar!”. Janë dy gjëra krejt të ndryshme, sado që vijnë si vazhdim i mundshëm i njëra-tjetrës. Sali Berisha merr kështu një afirmim indirekt evropian se Shqipëria i ka bërë ato hapa dinjitoze që i duhen për të qenë në dyert e pranimit në Bashkimin Evropian, pra i bën të pohojnë arritjet e vendit të tij. E kuptoj edhe ambicien e tij, sepse çdo politikan i karrierës do të donte që në CV e tij ta kishte të shkruar autorësinë e një akti politik madhor si ai i dorëzimit të kërkesës shqiptare për t’u pranuar në Bashkimin Evropian. Nuk mund ta shmangësh dot natyrën ambicioze të njeriut, aq më pak të politikanit që e ka pjesë të psikologjisë së tij për të mbetur në histori. Kurse Evropa, me këtë rast, i pohon botës se shqiptarët po trokasin me padurim në dyert e Evropës dhe po ia “shqyejnë” dyert asaj, duke i e detyruar të thotë: Mirëserdhët!”.
Çfarë do të bënte për shembull Bashkimi Evropian, nëse Parlamenti shqiptar një ditë do ta shpallte vendin tonë, në mënyrë të njëanshme, vend i Bashkimit Evropian? Jam i sigurt se asgjë nuk do të ndodhte. Bashkimi Evropian do të na pranonte si pjesë e tij. Jam i sigurt për këtë.
Mirëpo çështja nisi të marrë përmasa dramatike. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Shqipëri citoheshin nga mediat përgjithësisht opozitare sikur e gjykonin disi të herët kohën për ta bërë këtë kërkesë, kurse opozitarë që u shfaqën në publik e gjykonin të vonuar depozitimin e kësaj kërkese.
Herët apo vonë?
Vonë apo herët?
Të vonuar, apo të nxituar?
E ka vështirë ta kuptojë këtë qytetari i thjeshtë. Qenan K. gjithmonë ankohet se klientët e tij, kur i qeth, shpesh ankohen se i djeg kur uji nuk është veçse i vakët, ose ankohen se i ftoh, kur uji nuk është veçse me temperaturë ambientale. S’di si të bëjë vërtet i shkreti! Por, në fakt, kush është në gjendje ta masë atë që quhet kohë e duhur historike? Do të ishte një pretendim i madh. Ngjarja ndodh atëherë kur ndodh. A herët as vonë.
Edhe më parë sesa të dorëzohej kërkesa shqiptare e kandidaturës për t’u pranuar në Bashkimin Europian, e kam theksuar se mbetet për t’u shqyrtuar çështja e plotësimit të standardeve nga ana e Shqipërisë. Por, sikurse e kam shprehur edhe përpara disa javësh në një emision në TV, çështja e standardeve duhet trajtuar jo në mënyrë burokratike.
Sigurisht që shoqëria shqiptare ka pa fund probleme lidhur me pronat, sistemin e drejtësisë, cilësinë e jetës, efikasitetin e administratës, urbanizimin, kulturën e jetës së përditshme, cilësinë e mallrave, infrastrukturën e shërbimeve etj. Shumë nga arritjet tona, me gjithë hopin e shënuar, janë ende larg standardeve të vendeve evropiane. Mjafton të shohim gjendjen nëpër spitale dhe nuk ka nevojë për të dhënë të tjera argumente. Një çhumanizim masiv!
Por, nga ana tjetër të mos harrojmë se standardet nuk janë vetëm këto. Shqipëria është vend demokratik. Me territor të sigurt dhe të paqtuar. Respekton kufijtë e vet dhe bën politikë kundër trafiqeve ndërkombëtare. Vend me harmoni dhe pa konflikte etnike. Pa tensione fetare. Me popullsi masive të emigruar në vendet e Evropës. A nuk janë standarde këto? Patjetër. E kam të vështirë të them se pastërtia e një filxhani kafeje në një lokal rruge në Shqipëri, që ndofta lë shumë për të dëshiruar, që nuk i plotëson sigurisht standardet europiane, është më e rëndësishme sesa fakti, për shembull, i një shoqërie pa tensione etnike dhe fetare. Sa larg janë prej arritjeve tona kombet fqinje!
Vizita e Kryeministrit grek, Karamanlis, në Shqipëri ka hapur debate lidhur me ato që (s’)u diskutuan të paktën publikisht, pronat e shqiptarëve në Greqi (çamëve). Qeveria pretendon se ka biseduar brenda kuadrit të marrëveshjes së mirëkuptimit, ndërkohë që opozita, sidomos pjesa mediatike apo propagandistike e saj, pretendon të kundërtën. Cili është komenti juaj për marrëdhëniet aktuale shqiptaro-greke në përgjithësi dhe pjesën e kontestuar që citova më lart në veçanti?
Unë gjykoj se popullsia çame që jeton në Shqipëri ka një mijë herë të drejtë të kërkojë rikthimin e pronave që i takojnë të ketë sipas ligjeve greke dhe parimeve të së drejtës evropiane. Nga ana tjetër, sikurse kam thënë, nuk besoj se rruga më e drejtë do të ishte që ky problem të trajtohej si problem politik mes dy vendesh. Trajtimi si problem politik do ta pengonte zgjidhjen e problemit serioz në fjalë. Ata kanë pronat e tyre atje dhe duhet të jenë këmbëngulës për t’i marrë ato brenda kuadrit ligjor demokratik. Prej më se një viti, i qëndroj mendimit se kjo mund të përballej më mirë duke u trajtuar si çështje civile, pra si kërkesë e subjekteve individuale apo kolektive për të rifituar të drejtën e humbur apo të panjohur ende.
Politikisht, gjykoj se përshpejtimi i integrimit evropian të Shqipërisë do ta lehtësonte jashtë mase shumë zgjidhjen e çështjes së pronave dhe të drejtave të tjera të çamëve të Greqisë. Sa më butë të hyjë Shqipëria në Bashkimin Evropian, sa më shpejt, aq më lehtë do ta kenë çamët, që si qytetarë evropianë të trokasin në dyert e gjykatave greke, ose edhe më lart akoma, në Gjykatën e Strasburgut.
Koha punon për çamët.
Kjo është e sigurt.
Lidhur me këtë dëshiroj të theksoj se hyrja e Shqipërisë në Evropë do të ketë ndikim të fuqishëm në jetën e përditshme të shqiptarit të thjeshtë, të qytetarit. Menjëherë edhe emigrantët tanë jashtë do të fitonin të gjitha të drejtat demokratike. Për të mos folur për aspekte të tjera ekonomike. Shqiptari do të dilte nga kjo “getho” vizash, ku e kanë mbyllur tani kushtet historike, politike dhe diplomatike të pasluftës së ftohtë. Koha po vjen.