E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Idrizi: Bashkëpunim me PDI për çështjen çame

 

Aristir Lumezi

Do bashkëpunoj me deputetin e PDI-së për çështjen çame në Parlamentin e ri. Deputeti socialist Shpëtim Idrizi, duke folur dje ekskluzivisht për “Panorama”, tha se nuk do të reshtë në Kuvendin e ri për çështjen çame. “Do jemi bashkë me deputetin e PDI-së, Dashamir Tahiri në të gjitha nismat që do të kenë lidhje me çështjen çame në Kuvendin e ri”, u shpreh Idrizi. Deputeti socialist i cilësoi deklaratat e Tahirit për një bashkim në një grup parlamentar të së gjithë deputetëve me origjinë çame në Kuvend si dëshira individuale të tij. “Unë nuk mund të komentoj dëshirat e njerëzve, por do të jem në kontakt të vazhdueshëm me deputetin Tahiri dhe bashkë do të paraqesim dhe mbështesim nisma në interes të çështjes dhe komunitetit çam në Shqipëri”, u shpreh Idrizi. Pak kohë më parë, deputeti i PDI-së në Qarkun e Vlorës, i bëri thirrje të gjithë deputetëve të tjerë pavarësisht se çfarë ngjyre politike përfaqësojnë, por që janë me origjinë çame t’i bashkohen PDI, ndërsa Tahiri është i vetmi deputet që do të përfaqësojë PDI në Parlamentin e ardhshëm. “Të gjithë deputetët me origjinë çame, të cilët fituan mandatin për të zënë vende në Parlamentin e ri me 140 deputetë, pavarësisht nëse i përkasin të majtës apo të djathtës, t’i bashkohen PDI-së”, është shprehur Tahiri. Përveç Tahirit deputetë të tjerë me origjinë çame janë Leonard Demi që është deputet i Partisë Demokratike, i cili fitoi mandatin në Qarkun e Vlorës, si dhe Shpëtim Idrizi kandidati i Partisë Socialiste, edhe ky fitoi mandatin në po këtë qark. Sipas tij të gjithë deputetët çamë duhet të bashkohen për të ngritur edhe më lart zërin e një populli, të cilit i janë mohuar të drejtat në vite. “Prandaj jam këtu sot, për t’u bërë një thirrje të gjithë kolegëve të mi deputetë, të majtë dhe të djathtë, për t’u bashkuar me PDI-në, për të çuar përpara çështjen kombëtare”, është shprehur deputeti i PDI-së gjatë një konference për shtyp ditë më parë ku kërkoi bashkëpunim të së gjithë spektrit çam në Kuvend. PDI është parti në koalicion me Partinë Demokratike, ndërsa deputeti i saj është shprehur se ky koalicion do të vazhdojë të funksionojë. Tahiri ka siguruar se nuk ka arsye që ta çojnë atë larg koalicionit me Partinë Demokratike, ai theksoi se nuk ka asgjë të vërtetë nga zërat që kanë dalë, se PDI ka vendosur të largohet nga koalicioni me Partinë Demokratike dhe t’i bashkohet Partisë Socialiste. Ai theksoi se do të jetë zëri për mbrojtjen e të drejtave çame, që për kaq kohë u janë mohuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›