Gjykata e Lartë e liroi U akuzua për vrasje, kërkon dëmshpërblim për burgim të padrejtë
Një i dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për akuzën e vrasjes dhe trafikut të prostitucionit, dhe i shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë, kërkon nga drejtësia që të kompensohet për burgim të padrejtë. Genc Hasa ka qëndruar disa vite në burg, gjatë kohës që gjykatat e të tri niveleve zhvillonin procesin gjyqësor në lidhje me ngjarjen e vitit 2002 në Xhenoa të Italisë, ku ai akuzohej për vrasjen e bashkëshortes Servete Kulla. Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi me burgim të përjetshëm, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli, ndërsa kur mendohej se vendimi do të merrte formë të prerë, Gjykata Supreme vendosi ta shpallte të pafajshëm dhe në të njëjtën kohë t’i jepte mundësisë Genc Hasës të kërkonte kompensim për burgim të padrejtë. Gjatë seancave gjyqësore, Hasa ka deklaruar se është martuar me Servete Kullën dhe janë nisur në Itali për një jetë më të mirë. Në datën 25 prill 2002, bashkëshortja e tij është gjetur e copëtuar në një kazan plehrash në Kiavari në Xhenoa. Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Itali, Hysa është akuzuar vetëm për “shtyrje dhe shfrytëzim prostitucioni” dhe jo për “vrasje”.
#