E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë të lirë policët bashkiakë

DURRES - Gjykata e Faktit në Durrës la të lirë shefin e Policisë Bashkiake, Rexhep Bulku dhe tre punonjësit e tjerë të arrestuar tri ditë më parë pas incidentit me pronarin e një autobusi. 

Ata do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë vetëm për akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”. Pas përfundimit të seancës për “masën e sigurisë” katër policët bashkiakë u lanë të lirë kundrejt garancisë pasurore prej 5 mijë lekësh të reja. Ky vendim i jep gjithashtu të drejtën shtetasve Rexhep Bulku, Bashkim Maloku, Denis Omeri dhe Ndriçim Dervishi që të rifillojnë menjëherë ushtrimin e detyrave në Policinë Bashkiake. Përfaqësuesi i organit të akuzës, Edmond Kaloshi ka kërkuar pezullim e tyre nga puna dhe garancinë pasurore prej 5 mijë lekësh. Trupi gjykues, i cili drejtohej nga Flora Hysi ka pranuar pjesërisht kërkesat e akuzës, duke përjashtuar atë të pezullimit nga detyra. Gjykata e ka vlerësuar si të paligjshëm arrestimin e tyre. Tri ditë më parë në segmentin rrugor Stacioni i Trenit-Ura e Dajlanit, ata kanë lënduar shtetasin Fatmir Zakova, i cili kundërshtoi me fjalë fyese kontrollin e autobusit, ku ai ishte njëherazi pronar dhe shofer.     o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›