E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kush janë bizneset e përlyera në pastrimin e parave"

Iniciativa ligjore për ndryshimin e ligjit është marrë në vitin 2005, nga një vlerësim reciprok që i është bërë punës për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit nga komiteti i ekspertëve Moneyval i Këshillit të Evropës. Ky komitet, deri tani ka bërë tri vlerësime. Vlerësimi i parë është bërë para vitit 2000, në bazë të të cilit ne nuk kishim një njësi të specifikuar për luftën ndaj fenomenit të pastrimit të parave, siç e kanë vendet e tjera në botë që operojnë si Njësi të Inteligjencës Financiare. Në atë kohë nuk kishim asnjë legjislacion për të vepruar. Nisur nga kjo gjendje, Moneyval, në zbatim të 40 rekomandimeve të FATF (Taskë Forcë e Veprimit Financiar) dha vlerësimet e para mbi mënyrën sesi duhet luftuar paraja e pistë që buron nga aktivitetet e jashtëligjshme. Kryesisht, paraja e pistë buron nga trafiku i drogës dhe qenieve njerëzore, por nga fusha të tjera. Pas marrjes së rekomandimeve, në maj të vitit 2000, doli ligji i parë Nr. 8680, në bazë të të cilit u ngrit struktura e parë, e quajtur Drejtoria e Bashkërendimit të Luftës për Parandalimin e Pastrimit të Parasë, pranë Ministrisë së Financave. Vlerësimi i dytë është bërë në vitin 2003, duke sjellë ndryshime në ligj, gjithnjë drejt përmirësimit të kuadrit ligjor, të kërkuar nga ekspertët e KE-së. Njëra nga përmirësimet konsistonte në forcimin e strukturës së re, kalimin e saj në drejtori të përgjithshme, të posaçme ndaj luftës kundër fenomenit negativ të pastrimit të parave, por edhe në numrin e specializimin e punonjësve. Aktualisht, në stadin ku ndodhemi, drejtoria jonë është ndarë nga ministria, por jep llogari për çdo gjë që kërkohet drejtpërdrejtë te ministri i Financave. Ndërkaq, në vitin 2005 është bërë vlerësimi i fundit dhe është kërkuar që legjislacioni të pësojë ndryshime rrënjësore. Më pas, ka mbërritur një grup i posaçëm i FMN-së dhe nga Moneyval, nga ku nisi puna për hartimin e draftit, i cili filloi në nëntor të 2006-ës. Më pas u krijua grupi i punës i drejtuar nga DPPPP-ja, në përbërje të të cilit ishin specialistë nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit dhe Banka e Shqipërisë. Pas një viti pune, në tetor 2007, projektligji shkoi në Ministrinë e Financave, më pas në mars 2008 në Këshill të Ministrave, e tani që flasim po kalon në komisionet parlamentare. Kështu, në komisionin e sigurisë kombëtare ligji ka kaluar në unanimitet të plotë, ku janë dhënë disa sugjerime. Po ashtu, edhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave janë paraqitur disa sugjerime nga znj. Meksi dhe z. Malaj. Më pas, ligji do të shkojë edhe në Komisionin e Ligjeve. Propozimet e deputetëve, DPPPP është duke i shqyrtuar me shumë kujdes. Ekzistojnë disa variante, si, p.sh., mënyrën sesi do të hartojmë listën e personave, e ekspozuar politikisht, me mbështetjen e Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Nga ky institucion ne do të kërkojmë vazhdimisht të dhënat më të fundit, në mënyrë që rezultatet të jenë sa më konkrete.

Çfarë synohet me këtë ligj?

Aktualisht ne marrin çdo ditë informacion nga bankat e nivelit të dytë. Kemi raportime mbi vlerën e pragut dhe kemi disa informacione mbi transaksione të dyshimta. Nga rekomandimet e Moneyval-it, na është kërkuar ulja e pragut nga 20 milionë lekë në 6 milionë lekë. Në ligj është vendosur ky prag, pas konsensusit të arritur me grupin e punës, përfshi edhe ekspertët e KE-së. Në drejtorinë tonë ka punuar një zyrtar i Departamentit të Thesarit amerikan, i cili ka luajtur rolin e këshilltarit në përgatitjen e ligjit. Po ashtu, edhe OPDAT, PAMECA e OSBE-ja kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

Na shpjegoni si do të veprohet me shumat 6 milionë lekë e sipër?

Po. Çdo transaksion bankar apo çdo transaksion tjetër që bëhet në banka, zyra këmbimi valutor, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në shumat 6 milionë lekë e sipër, duhet të raportohen në drejtorinë tonë. Pra, me ligjin e ri këto institucione janë të detyruara të raportojnë çdo të dhënë ose transfertë të dyshimtë. P.sh., një person ka blerë shtëpi me vlerë 6 milionë lekë dhe e regjistron në Hipotekë, kjo e fundit të dhënat e këtij personi ia dërgon drejtorisë sonë, ku më pas, ne i hedhim në data-base tonë. Më pas, Drejtoria e Analizës në DPPPP shqyrton të dhënat për të mësuar nëse këto para janë legale apo jo. Po ashtu, shqyrton burimet e tjera që personi ka krijuar financimin. Mbi bazën e këtyre të dhënave, kjo drejtori bashkëpunon me Policinë e Shtetit, me strukturat e posaçme të saj. Pasi rasti është konkretizuar si i dyshimtë, dosja shkon në prokurori.

Kjo vlen edhe për depozitat në bankë?

Te depozitat ka një ndryshim, që te ligji i ri konsiderohet risi. Kështu, përveç transaksionet mbi 6 milionë lekë, jo vetëm në cash, përfshihen rastet e kalimit bankë me bankë. Por në momentin kur një qytetar shkon dhe depoziton në cash në shumat mbi 1,5 milionë lekë, të dhënat e tij duhet të raportohen te DPPPP-ja. Kjo është e reja në ligj, e cila është marrë si pjesë e direktivës së tretë të BE-së për parandalimin e pastrimit të parasë. Pra, mbi shumën 15 milionë lekë të vjetra, bankat janë të detyruara të na raportojnë, ndërsa klientit i merret një dokument identifikimi.

Cili ka qenë pozicioni i bankave lidhur me pragun e transaksionit?

Natyrisht, një pjesë e bankave kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër uljes së pragut, nga 20 milionë lekë në 6 milionë lekë. Mesatarisht, bankat kanë sugjeruar një prag më të lartë (mbi vlerën 10 milionë lekë), duke paraqitur pretendimet e tyre. Por, pas disa negociatash, u ra dakord në pragun 6 milionë lekë.

Cilat ishin pretendimet e bankave kundër këtij niveli?

Ata kenë një shqetësim, se me uljen e pragut atyre do t‘u rritet volumi i punës, e si rrjedhojë do t‘u kërkohet zgjerim të stafit të punonjësve që merren me raportimin e këtyre të dhënave.

Çdo të thotë pastrim parash?

Është transferimi ose kalimi i parave që kanë rrjedhë nga krimet si, trafiku i drogës, armëve dhe qenieve njerëzore etj., dhe që tentojnë të injektohen në ekonominë ilegale. Mënyra sesi arrihet kryesisht nëpërmjet përdorimit të bankave guaskë (fantazmë) ose nëpërmjet ushtrimit të aktiviteteve të ligjshme, si ndërtimi, shërbimet apo tregtia, duke tentuar të fshehin burimin e origjinës legale të parave.

A janë hasur vështirësi në zbatimin e detyrave që rrjedhin nga zbatimi i ligjit për parandalimin e pastrimit të parave? Pra, cilat janë problemet që duhet të përballeni?

Çdo risi e re do të ketë problematikën e saj për ta zbatuar. Kuptohet që në shumë raste drejtoria jonë është hasur në vështirësi gjatë ushtrimit të detyrës, për faktin se me ligjin aktual shumë institucione raportuese nuk ishin të përfshira në luftën kundër pastrimit të parave. Rasti konkret lidhet me zyrat e këmbimit valutor. Numri i tyre është rritur ndjeshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit "Për bankat", i cili liberalizon këtë treg. Në këtë mënyrë, DPPPP-së i duhet të marrë informacion në të gjitha pikat e këmbimit valutor për çdo transfertë të dyshimtë. Edhe për zyrat e këmbimit valutor, pragu i lejueshëm është 20 milionë lekë. Mbi këtë shumë kërkohet informacion rreth burimit të financimit. Kurse për shumat mbi 2 milionë lekë, këto zyra kanë detyrimin të mbajnë të dhëna për çdo klientë, ndërsa për shumat mbi 20 milionë lekë janë të detyruara të paraqesin raport te ne. Por, përveç zyrave të këmbimit valutor, problem kemi hasur me noterët dhe ekspertët kontabël, avokatët, vlerësuesit e pasurive, ndërtuesit etj.

Si paraqitet bashkëpunimi me institucionet e linjës?

Duhet të them se bashkëpunimi po rritet gjithnjë e më shumë. Rasti konkret, me Policinë e Shtetit, zhvillohen çdo javë takime, duke shkëmbyer informacion rreth rasteve të ndryshme konkrete ose probleme të përgjithshme të punës. Po kështu, ne kemi një koordinator, që është pjesë e njësisë së përbashkët të hetimit financiar dhe korrupsionit që është ngritur në Prokurorinë e Tiranës. Me këtë njësi kemi një dinamikë të shkëmbimit të informacionit. Që nga koha e krijimit të kësaj njësie kemi bërë pesë referime për ndjekje penale ndaj subjekteve të pastrimit të parasë, ku për pjesën më të madhe të tyre ka nisur procedimi penal. Në përgjithësi situata e bashkëpunimit është goxha më e mirë sesa ka qenë më parë.

Po me institucionet e fiskut, si paraqitet bashkëpunimi?

Me doganat bashkëpunimi konsiderohet pozitiv. Para një muaji unë zhvillova një takim me krerët e degëve doganore nëpër rrethe, nga ku u diskutuan çështje të ndryshme që lidhen me raportimin e rasteve të dyshimta të pastrimit të parave. Doganat, përveç detyrës për të mbledhur të ardhura dhe luftës kundër evazionit fiskal etj., kanë për detyrim të raportojnë rastet e deklarimit të cash-it apo gurëve dhe metaleve të çmuara që kalojnë në pikat kufitare. Ligji aktual citon: nën 1 milion lekë ose kundërvlerën e tyre në valutë dhe gurë e metale të çmuara, individi nuk ka detyrim ligjor për të bërë deklarimin. Mbi këtë shumë, ke detyrimin ligjor për ta deklaruar pranë organeve doganore. Edhe në ligjin e ri do të mbetet i njëjti nivel deklarimi.

Mund të na paraqisni të dhëna rreth numrit të subjekteve që po hetohen. Nëse ka ndonjë studim, sa mendohet të jetë shuma e parave që pastrohen në Shqipëri, në vlerë të përafërt?

Përveç pesë rasteve që po hetohen te njësia e hetimit financiar në prokurori, ne kemi dhjetë informacione që ia kemi dërguar Policisë së Shtetit për hetim të vazhdueshëm. Këto raste konsiderohen të dyshimta, e për rrjedhojë kërkohet ndihma e Policisë së Shtetit për të zbuluar pikat e lidhjes së veprës penale të parë të origjinës.

Për këtë subjekt që përmendët, sa është shuma që mund të kenë qarkulluar gjatë aktivitetit, duke synuar pastrimin e parasë?

Jo, nuk është bërë ndonjë përllogaritje e tillë, sepse jemi në fazën e hetimit.

Por nuk ka të dhëna ose studime nga organizma të huaja rreth fluksit të parave të pista në vendin tonë?

Në fakt, kjo është detyrë e vështirë e institucioneve që investigojnë këto raste. Unë e kam mjaft të vështirë të jap një përgjigje të përafërt, kur kam vetëm shtatë muaj punë. Madje, nuk ka të dhëna as nga raportet ndërkombëtare, nga departamenti i shtetit, por edhe nga raporti i progresit të BE-së. Megjithatë, thuhet se Shqipëria është një vend me risk të madh, për faktin se ka një përdorim të konsiderueshëm të parasë cash. Pra, me sa njohuri kam unë, nuk ka shifra të fluksit të parave të pista.

Ju keni punuar në strukturat më të larta të Policisë së Shtetit. Sa ju ka ndihmuar kjo eksperiencë në ushtrimin e detyrës që keni aktualisht?

Kam filluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si specialist i thjeshtë në departamentin e krimit ekonomik-financiar, më tej shef seksioni i krimit financiar, drejtor i Qendrës Policore të të Dhënave e kështu deri në funksionin e nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Natyrisht, duke qenë se kam ushtruar këto funksione, bashkëpunimi me policinë dhe prokurorinë është mjaft pozitiv.

Po lufta ndaj financimit të terrorizmit, si paraqitet. A jeni duke hetuar ndonjë rast?

Një nga risitë e ligjit është se përveç parandalimit të pastrimit të parasë, ne parashikojmë edhe parandalimin e financimit të terrorizmit. Ne kemi synuar se një nga subjektet që konsiderohen me risk dhe që do të ndiqen me vigjilencë të zgjeruar nga subjektet e zbatimit të ligjit, janë edhe organizatat jofitimprurëse (OJF-të), me qëllim që ato të mos përdoren si ura të financimit nga organizatat terroriste.

Individët që kanë kryer aktivitete të jashtëligjshme, cilët biznese synojnë më tepër për qëllimin e pastrimit të parave?

Sektorët më të prekur nga kjo kategori individësh janë bizneset, ku përdoret paraja cash. Kryesisht, për pastrimin e parave përdoren sektorët e lojërave të fatit, ndërtimit, tregtia e mallrave, por edhe sektori i shërbimit të hotelerisë dhe restoranteve. Në këto biznese, klienti operon më së shumti me para në dorë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›