E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderët, tani me sistem online

Projekti i aplikimit të prokurimit elektronik, edhe pse ka nisur prej kohësh, është zyrtarizuar dje në Tiranë. Në ceremoninë e hapjes së tenderit elektronik për Prokurimet Publike në vend, merrte pjesë Kryeministri Berisha, ambasadori amerikan në Tiranë John. L. Withers, drejtues të lartë të qeverisjes qendrore e vendore, si edhe biznesmenë. Zbatimi i këtij projekti është arritur falë mbështetjes të dhënë nga USAID nëpërmjet Marrëveshjes në Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit. Sistemi i ri i prokurimit elektronik mundëson zhvillimin online të të gjitha procedurave të prokurimit në Shqipëri. Ky sistem mund të përdoret nga të interesuarit për pjesëmarrje në tenderë përmes faqes së internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP). Kryeministri Berisha vlerësoi në fjalën e tij, se përmes realizimit të këtij sistemi "qeveria dëshmon vullnetin e hekurt për të luftuar korrupsionin dhe dëshmon interesin e madh për të kursyer sa më shumë paratë e taksapaguesve shqiptarë". Duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Berisha tha se "pas zgjedhjeve të vitit 2005, një nga ankesat më të shpeshta dhe natyrisht të turpshme, ishte se autoritetet kontraktuese nuk u jepnin të interesuarve dosjet e prokurimit, ndërkohë që ua shpërndanin ato me seleksionim, atyre që ata donin, duke ua mohuar të tjerëve. Kjo ishte një mënyrë jashtëzakonisht e papranueshme". Kryeministri ka ftuar Drejtorinë e Rrugëve, Ujësjellësit e Kanalizimet, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të gjitha ministritë e tjera, si dhe bashkitë e mëdha të vendit, autoritetet kontraktuese, që të instalojnë me shpejtësi programin dhe të aplikojnë prokurimin elektronik. Projekti dyvjeçar i USAID-it ndihmon qeverinë shqiptare në reformimin e administratës tatimore, prokurimit publik dhe regjistrimit të biznesit nëpërmjet zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe përmirësimeve legjislative.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›