E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë nuk pranon avokatin e Kumbaros

Gjykata e Lartë ka refuzuar dje të shqyrtojë kërkesën e familjarëve të Ilir Kumbaros, që kërkojnë lirimin e ish-shik -sit, i arrestuar në Londër për llogari të drejtësisë shqiptare, e cila e akuzon për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Kolegji Penal i Gjykatës Supreme nuk e ka njohur avokatin e Kumbaros, që ishte zgjedhur nga familjarët e Ilir Kumbaros. E gjithë seanca zgjati për më shumë se dy orë dhe u fokusua te legjitimiteti i palës mbrojtëse. Avokati i Ilir Kumbaros, i caktuar me prokurë nga familjarët, kërkoi të ndryshohej masa e sigurisë. Ai tha se kishte një prokurë të rregullt të firmosur nga djali i klientit të tij, i cili e kishte të pamundur të ishte i pranishëm për shkak të largësisë. Ky ngërç nuk ka gjetur zgjidhje. Nga ana e saj, prokuroria kërkoi të mos legjitimohej avokati dhe kjo të lihej në dorë të gjykatës. Pas diskutimeve dhe tërheqjes për vendim, kolegji penal vendosi të nisë dosjen për te Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda. Sipas vendimit, për sa i përket pjesës që ka të bëjë me legjitimitetin e avokatit mbrojtës, duhet të shprehet edhe Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›