E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët në gjykatë: Akuzat janë të montuara

Dy mjekët, dy infermieret dhe anestezisti i maternitetit "Koço Gliozheni", të marrë nën hetim për mitëmarrje, deklaruan në gjykatë se akuzat janë të montuara dhe gjithçka ka një prapavijë kundër bluzave të bardha. Petrit Rexhepi, Dritan Xhangolli, Hyre Reçi, Nilka Perhati dhe Lefter Mano, anestezist, janë pesë personat të cilët janë vënë në përgjegjësi penale për akuzën e mitëmarrjes në detyrë shtetërore, ndërsa dje u paraqitën para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masës së sigurisë. Gjyqtari i gatshëm, Gerd Hoxha, pas pretendimeve të palëve, ka dhënë masën e sigurimit "arrest shtëpie" për të akuzuarit, duke rivendosur të njëjtat masa që kishte dhënë edhe gjykata ku ai punon, tri ditë më parë. Ndërkohë, Petrit Rexhepi, një nga mjekët e akuzuar, tha në gjykatë se gjithçka është e montuar për bukuri vetëm e vetëm me qëllimin e keq ndaj tyre. I të njëjtit mendim kanë qenë edhe mjekët e tjerë. Askush prej tyre nuk ka pranuar faktin se kanë marrë para, duke u bërë presion familjarëve. Krahas mospranimit të akuzës, mjekët kanë sqaruar edhe fajin që mbajnë mbi shpinë. Sipas tyre, bëhet fjalë për një rast të cilët mjekët e shtruan si urgjencë. Një familjar ka shkuar në spital së bashku me një grua gati për të lindur. Pas operacionit, familjari ka hedhur 30 mijë lekë mbi tavolinë dhe më pas ka filmuar gjithçka. "Ky ka qenë një shantazh dhe provokim i radhës që u bëhet bluzave të bardha", thanë mjekët para gjyqtarit Gerd Hoxha. Me gjithë kundërshtimin e mjekëve, gjyqtari nuk e ka ndryshuar masën e sigurimit të vendosur tri ditë më parë. Pesë të dyshuarit do të qëndrojnë në arrest shtëpie, duke mos pasur të drejtën të jenë në detyrë për aq kohë sa do të jenë në hetim. Pas vendimit të komunikimit, mjekët e marrë tashmë në përgjegjësi penale janë dërguar në shtëpi, ku nuk duhet të dalin prej saj, pasi do të ndiqen nga policia gjyqësore, e cila e ka këtë detyrë. Mjekët janë denoncuar në polici dhe menjëherë ndaj tyre ka nisur një hetim i fshehtë, i cili çoi edhe në marrjen si të pandehur të tyre për veprën penale të korrupsionit.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›