E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e tre të dyshuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Mbeten sërish në qeli tre të arrestuarit si përgjegjës të tragjedisë së Gërdecit. Gjykata e Lartë ka refuzuar dje të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për vendosjen e një mase të re sigurie ndaj tre të akuzuarve të dosjes “Gërdeci”. Sipas burimeve nga gjykata, mësohet se të akuzuarit Delijogji, Minxholli dhe Pinari nuk janë persona me imunitet dhe për pasojë duhet që masa e sigurisë ndaj tyre të merret nga Gjykata e Tiranës.
Vendimi
Kolegji penal i Gjykatës së Lartë ka refuzuar dje të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për vendosjen e një mase të re sigurie ndaj tre të akuzuarve Mihal Delijorgjit, president i “ALBA Demil”, Dritan Minxhollit, drejtorit teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, dhe Ylli Pinarit, drejtor i “MEICO-s”. Burime nga gjykata bënë të ditur se të tre janë akuzuar për tragjedinë e rëndë të Gërdecit, ku 26 vetë humbën jetën, 300 të tjerë u plagosën dhe mijëra shtëpi, biznese dhe objekte publike u shkatërruan. Sipas gjykatës, të akuzuarit Delijogji, Minxholli dhe Pinari nuk janë persona me imunitet dhe për pasojë duhet që masa e sigurisë ndaj tyre të merret nga një gjykatë më e ulët. Në këto kushte Gjykata e Lartë vendosi t ia dërgojë dosjen për shqyrtim Gjykatës së Tiranës.
Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se në sallën e gjyqit Delijorgji, Minxholli dhe Pinari nuk kanë qenë të pranishëm, ata janë paraqitur vetëm me avokatë. Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua organit më të lartë gjyqësor, pasi kualifikoi ndryshe veprën penale ndaj të dy akuzuarve nga shkelje e rregullave për lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive në vrasje masive. Nëse ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të përballet me drejtësinë, atëherë do të jetë vetëm Gjykata e Lartë që do ta shqyrtojë atë, pasi ligji parashikon që personat me imunitet siç është rasti i Mediut shqyrtohen vetëm nga kjo gjykatë. Pra në këtë mënyrë çështja “Gërdeci” ndahet në dy gjykata.
Arrestimi
Hetimet e organit të akuzës në lidhje me tragjedinë kanë mundur të ngrenë vetëm një akuzë në lidhje me shpërthimin e Gërdecit, që solli pasoja lufte në bilancin e viktimave dhe të plagosurve. Shkelje e rregullave të sigurisë në punë është akuza e vetme e ngritur nga Prokuroria për tre të arrestuarit si të dyshuarit e parë të tragjedisë së Gërdecit. Ndërkohë burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se tashmë pritet inspektimi në vendin e ngjarjes për të plotësuar dosjen voluminoze të shpërthimit të depos së demontimit të armatimit. Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli dhe Ylli Pinari janë vënë në pranga, pasi janë marrë në pyetje për disa orë nga prokurorë të grupit hetimor të ngritur për këtë çështje. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, sipas të cilave arrestimi është bërë nën akuzën e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Prokurorët kanë lënë të lirë, pasi nuk kanë gjetur vepër penale në pozicionin e Agim Vranjat, pronari i kompanisë “Vranja Security” që ruante firmën me roje private. Ndërkohë burime nga policia bëjnë të ditur se priten dhe shoqërime të tjera që kanë dijeni në lidhje me fate dhe rrethana nga ngjarja.

Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›