Jo premtime propagandistike, por programe reale
Nga Andrea ÇUPA
Opinioni i kualifikuar dhe elektorati i gjerë janë në pritje të prezantimit të programeve politiko-ekonomike të zhvillimit për katër vitet e ardhshme. Aktualisht dëgjohen replika reciproke në distancë, preferenca gazetarësh dhe militantësh, lista premtimesh dhe propagandë për zonat rurale, kryesisht ekonomike, kompani “bastesh” që bëjnë parashikuesin se kush do të fitojë zgjedhjet, cili lider është më i preferuar etj. Çdo gjë në funksion të marrjes apo të mbajtjes së pushtetit, ndërsa programet konkrete të zhvillimit mungojnë.
Partia Socialiste para pak kohësh prezantoi në shtyp “7 shtyllat e programit qeverisës”. Thuhet se programi është me 1000 faqe dhe ka 100 masa emergjente! Me refrenin lodhës “politikë e re” prezantohen 7 shtyllat e programit që të kujtojnë 7 mrekullitë e botës ose numrin 7 si numër i fatit.
Mendoj se 7 pikat e programit për arsimin, prodhimin vendas, sovranitetin ushqimor, shëndetësinë, mjedisin, turizmin, kohezionin social, që konsiderohen shtylla, janë thjesht fusha të zhvillimit.
Ka gjasa që formalisht të prezantohen programet e vjetra si të reja, duke vijuar me premtime dhe propagandë në zonat rurale.
Le të arsyetojmë me argumente se si duhet të hartohet dhe çfarë të përmbajë një program politiko-ekonomik.
Duhet nënvizuar se në programin e PS-së, që sapo ka filluar të prezantohet në publikun e gjerë, mungojnë: idetë dhe konceptet udhëheqëse, vlerësimi real i gjendjes, qëllimi themelor strategjik i zhvillimit, objektivat strategjike të zhvillimit, prioriteti kryesor, prioritetet e rëndësishme, vëmendja e veçantë për disa fusha, si dhe fushat dhe nënfushat e zhvillimit; fazat afatet dhe treguesit e implementimit të programit, mbështetja me burime njerëzore, financiare, logjistike e programit, si dhe ndarje racionale e tyre sipas përparësive, rëndësisë për fushat e zhvillimit.
Programet duhet të jenë të kuptueshme, konkrete, të besueshme dhe bindëse, të realizueshme dhe racionale, të pasqyrojnë shifra dhe fakte, të jenë llogaritëse dhe parashikuese reale, që të realizojnë të nevojshmen për shoqërinë, të frymëzojnë veprimin çka ende mungojnë.
Duke u bazuar në gjendjen reale, mundësitë tona, faktorin shpirtëror dhe material, në mendimin progresiv intelektual dhe politik, me ndihmën e mundshme të aleatëve të mëdhenj, SHBA-së, BE-së, si dhe në faktorin tjetër ndërkombëtar, është e arsyeshme të kemi këtë koncept të mundshëm të strategjisë së përgjithshme të zhvillimit të vendit.
Shqipëria duhet të bëhet hap pas hapi një shtet ligjor modern i së drejtës, ku të mbizotërojë ligji, ku të sigurohet mbi të gjitha jeta dhe prona, e integruar nëpërmjet zhvillimit harmonik, në rrugë paqësore demokratike, në hapësirën e natyrshme mbarëshqiptare, urë kryesore lidhëse mes Perëndimit dhe Lindjes, nëpërmjet korridorit tradicional adriatiko-jonian. Nyje kryesore lidhëse mes Evropës dhe Mesdheut, duke u bërë kështu faktor po aq i rëndësishëm stabiliteti, paqeje dhe zhvillimi në Ballkan sa dhe popujt e tjerë të tij, e integruar me dinjitet nëpërmjet zhvillimit të gjithanshëm, në familjen e madhe euroatlantike dhe në harmoni me botën.
Në funksion të këtij qëllimi burojnë natyrshëm objektivat madhore strategjike (kolonat dhe shtyllat kryesore): forcimi dhe konsolidimi i shtetit ligjor të së drejtës, zhvillimi i ekonomisë së tregut dhe rritja e mirëqenies së popullit, siguria kombëtare, zhvillimi i demokracisë politike, ekonomike dhe sociale.
Forcat politike duhet të konvergojnë për qëllimin dhe objektivat strategjike, ndërsa rrugët për implementimin e tyre mund të ndryshojnë.
Shpeshherë vërehet se konceptet strategji, prioritetet kryesore, prioritetet e rëndësishme, objektiva strategjike përdoren jo sipas kuptimit që kanë. Strategjia është një qellim madhor i përgjithshëm. Pas Luftës së Dytë Botërore u ndoqën dy strategji për ekonominë: ajo e ekonomisë së tregut të lirë nga Perëndimi dhe strategjia e ekonomisë se centralizuar nga Lindja. E dyta dështoi, siç dihet. Nëse gabon një herë në strategji, rrallëherë mund t’u shpëtosh pasojave shkatërruese të tij, mëson analiza historike.
Duhet ditur se prioriteti kryesor është një dhe vetëm një .Me atë duhet kuptuar përqendrimi kryesor i energjive, përpjekjeve, forcave, financave, logjistikës, në funksion të qëllimit dhe objektivave strategjike.
Ka një alternativë të mundshme të prioritetit kryesor të zhvillimit. Qëllimi i madh i artit të qeverisjes, i drejtimit të shtetit është vendosja dhe ruajtja e rendit demokratik, gjë që ka peshën më të madhe se gjithë të tjerat, sepse ajo është më e çmuar se vetë liria. Vetëm nga forca dhe stabiliteti demokratik i qeverisjes do të garantohet në përgjithësi jetëgjatësia e saj, sigurisht si zhvillim i pandërprerë.
Pa vendosjen dhe ruajtjen e rendit demokratik, paqes, qetësisë dhe sigurisë, nuk mund të ketë zhvillim, investime vendase dhe të huaja, nuk mund të ketë integrim. Është kjo arsyeja që na çon në përfundimin se prioriteti kryesor duhet të jetë reformimi i thellë i pushtetit gjyqësor, pavarësia dhe paanshmëria e tij, si dhe reformimi i institucioneve kryesore të sigurisë kombëtare. Po kështu, ka një alternativë që disa nga prioritetet e rëndësishme mund të jenë: energjitika, infrastruktura, arsimi, shëndetësia, si dhe masa të veçanta për zbutjen e efekteve të krizës.
Vetëm me stafe të ekspertëve me përvojë mund të zbërthehet në detaje një program, natyrisht nën drejtimin e politikës.
*Pedagog në Akademinë e Mbrojtjes