Spille, banorët nuk pranojnë të kthehen në fshat
Polumbarët kanë qenë të pranishëm për të mundësuar pastrimin e pusetës së rezervuarit
KAVAJË- Forcat ushtarake të xhenios kanë qenë dje të pranishme për të bërë të mundur uljen e nivelit të ujit në rezervuarin e Sharrdushkut. Në fakt, pritej që me hapjen e digës emergjente gjendja të përmirësohej dhe banorët të ktheheshin nëpër shtëpi. Por kjo nuk është arritur as gjatë ditës së mërkurë (një ditë pas alarmit).
Sipas burimeve zyrtare të mbërritura nga komuna Kryevidh, banorët e tre fshatrave të evakuar mëngjesin e 24 marsit janë lajmëruar të kthehen pranë banesave të tyre. Frika dhe paniku që i ka pushtuar, ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të mos e marrin për bazë njoftimin për përmirësimin e gjendjes.
Sidomos banorët e fshatit Spille, që ishte edhe më i rrezikuari nga shpërthimi i digës, nuk i janë bindur informacioneve të pushtetit vendor për t'u kthyer pranë shtëpive të banimit. Megjithë përpjekjet e bëra, rreziku nuk është shmangur totalisht, fakt i konfirmuar edhe nga vetë drejtuesit lokalë. Kryetari i këshillit komunal, Mesir Kaja, thekson "njerëzit janë njoftuar që të kthehen në shtëpi që pasdreke, por nuk mund të themi që gjithçka është në rregull.
Ekziston ende një dozë e vogël risku për çarjen që mund të pësojë diga, pasi ajo është e amortizuar. Por mund të themi që frika e madhe për shkatërrim është evituar dhe se tani vetëm një 20% mbetet i dyshimtë. Niveli i ujit ka rënë ndjeshëm krahasuar me ditën e martë, që ishte 6-7 metër lartësi, ndërsa sot është 1,5-2 metër lartësi.
Kjo konsiderohet si brenda normave të lejuara, ndaj edhe themi që situata nuk është më kritike për jetën e 580 banorëve". Mbrëmjen e së martës në vendngjarje ka arritur edhe ministri.Jemin Gjana, pasi ishte njoftuar që situata paraqitej alarmante. Por errësira nuk ka lejuar që të bëhen shumë ndërhyrje në daljet e rezervuarit.
Vetëm sa është lënë e lirë diga emergjente për zbrazjen e ujit. Shirat e mbrëmjes gjithashtu kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes, pasi nga një anë ulej niveli gjatë shkarkimit, nga ana tjetër rritej me mbledhjen e gjithë ujërave të shiut drejt rezervuarit.
Gjatë ditës së mërkurë janë bërë ndërhyrje në digën kryesore, duke vendosur një masë mbrojtëse pas saj, në mënyrë që çarjet e betonit të mos marrin përmasa më të mëdha.
Gjithashtu është tentuar edhe hapja e tubacionit shkarkues, me ndihmën e polumbarëve të ardhur nga Tirana, por pastrimi ka hasur në vështirësi për shkak të nivelit të lartë të ujit në rezervuar. Vetëm gjatë pasdites, kur niveli i ujit kapi kuotën e 2 metrave lartësi, është bërë e mundur ndërhyrja e polumbarëve për pastrimin e pusetës kryesore.
Janë rreth 80 banorë të cilët po strehohen tek të afërmit e tyre, ndërsa kanë refuzuar mundësinë e hotelit
Shkatërrimet e banesave në Bago,banorët ende të pastabilizuar
KAVAJË - Të dëmtuarit e 21 marsit në fshatin Bago të komunës Synej kanë filluar të ndiejnë vlerën e humbjeve të pësuara.
Kanë kaluar 5 ditë që nga katastrofa natyrore dhe ende nuk është arritur në ndonjë përfundim konkret për masat që do të marrë qeveria dhe pushteti lokal për të ndihmuar këto familje.
Në këto ditë të ftohta e me shi vetëm sa kanë gjetur një strehë ku të fusin kokën. Asnjë familje nuk ka pranuar të zhvendoset në hotel, duke e parë këtë ambjent si të pamjaftueshëm për të jetuar 5-6 pjesëtarë të një familjeje.
Ata kanë preferuar të qëndrojnë tek të afërmit e tyre që u kanë hapur dyert në këto ditë të vështira. Madje edhe përpjekjet për të gjetur një terren të përshtatshëm për të jetuar, kanë qenë krejtësisht të pavarura nga organet shtetërore institucionale.
Ata kanë rënë dakord me njëri-tjetrin për të shkëmbyer një sipërfaqe toke prej 4 hektarësh me të afërmit e tyre, diku pak më larg terrenit të vështirë e të rrezikshëm. Përveç tokës së shembur, ata zotëronin edhe sipërfaqe toke në fushën përballë kodrës së Bagoit.
Duke qenë 11 familje vetëm nga fisi Gjeçi dhe tre të tjerat me lidhje miqësie me to, kompromisi për shkëmbimin e pronave me të afërmit e tyre ka qenë lehtësisht i arritshëm. Kjo nismë i është bërë e ditur edhe kryetarit të komunës Synej, Përparim Çaça, dhe pritet miratimi i tij dhe këshillit komunal.
Thonë që kanë marrë ndihma në veshmbathje dhe produkte ushqimore, "por nuk jetohet duke pritur që dikush të kujtojë për mëshirë, nuk mund të ngresh kokën nga qielli e të kërkosh prej Zotit të të falë ushqim e strehim.
Tashmë është shteti ai që ka në dorë fatin tonë. Nëse qeveria na ndihmon në kompensimin e dëmit që na ndodhi, do t'i ishim shumë mirënjohës, pasi kemi një jetë që jetojmë mbi këtë truall dhe e gjithë sakrifica jonë u shkatërrua",- shprehet Pëllumb Gjeçi, një nga të dëmtuarit. Numri i banorëve që janë larguar nga banesat arrin në mbi 80 persona të grupmoshave të ndryshme.
Pëveç shtatë familjeve që humbën shtëpitë me rrëshqitjen e masivit të dheut, janë edhe 7 të tjera që janë urdhëruar nga organet e pushtetit vendor të evakuojnë zonën, pasi ajo paraqet rrezikshmëri të lartë. Çarjet e kodrës kanë filluar të ngjiten deri në lartësi, sidomos mbrëmjen e së mërkurës, pasi shiu i rënë ndihmoi në hapjen e kores së tokës duke krijuar vijëzime të reja.
Gërryerja e kraterit të formuar pas rrëshqitjes po afrohet çdo ditë e më tepër drejt shtëpive të paprekura. Ish-banorët e zonës së shkatërruar janë kthyer në vëzhgues të pafuqishëm për të ndaluar spostimet e dheut që arrijnë në disa dhjetëra metra. Kjo zonë mund të quhet tërësisht e pabanueshme.