Buxheti i Tiranës shqyrtohet më 30 mars, PD-ja, me draft alternativ
Kërkesa e prefektit të Tiranës, Ruzhdi Keçi, për jashtëligjshmërinë e buxhetit të Tiranës do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit më 30 mars, ndërkohë që Partia Demokratike do të paraqitet me një draft alternativ, ndonëse nuk është përfshirë në rendin e ditës. “Çështja e buxhetit është përfshirë në mbledhjen e datës 30 mars, në pikën 7 të rendit të ditës, që është mbi njoftimet. Do të jetë Këshilli Bashkiak ai që do të vendosë nëse do të pranohet apo jo kërkesa e prefektit”, – deklaroi dje për “standard” kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj.
Draft alternativ
Ndërkohë, Partia Demokratike paralajmëroi që do të paraqesë sërish draftin alternativ të buxhetit që mënjanon “fondin e komunitetit” dhe që përfshin kërkesat e kryetarëve të minibashkive. “Ne kemi gati tashmë draftin alternativ për buxhetin e Tiranës dhe do ta paraqesim në mbledhjen e ardhshme. Fatkeqësisht, ky draft nuk është në rendin e ditës, por ne do të kërkojmë gjatë mbledhjes që shqyrtimi i tij të kryhet në Këshillin Bashkiak”, – tha këshilltari demokrat, Flamur Noka.
Ai përjashtoi mundësinë e votimit pro variantit të Partisë Socialiste dhe konfirmoi se vota do të jetë sërish kundër. “Partia Demokratike nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me buxhetin. Nuk mund të ndryshojmë qëndrim për diçka që është e jashtëligjshme dhe që abuzon me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Ne do të votojmë kundër buxhetit të Ramës”, – konfirmoi z. Noka.
Buxheti
Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, i rrëzuar dy herë me shumicë votash, nga këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së, u diskutua në mbledhjen e 3 shkurtit dhe kaloi në votim. Kryebashkikau Edi Rama, i pranishëm në sallë, numëroi vetë votat pro, pa pritur përfundimin e procesit, duke deklaruar se “projektbuxheti u miratua me 29 vota”, ndërkohë që përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së votuan kundër. Ata e konsideruan këtë projekt "të jashtëligjshëm dhe buxhet paraelektoral".
Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, me një vendim të datës 24 shkurt e ktheu për shqyrtim projektbuxhetin e Tiranës duke deklaruar se "sipas procedurës, Këshilli Bashkiak duhet të mblidhet edhe një herë për ta rishqyrtuar sërish atë'', duke ngulmuar se ka shkelje ligjore në nenet 19 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”. Por, Bashkia e Tiranës filloi zbatimin e buxhetit, ndonëse ai nuk ka hyrë në fuqi, akt për të cilin nevojitet firma e prefektit.
Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit Bashkiak, në rend dite do të jenë edhe projektvendimi për miratimin e rregullores për organizimin e shërbimeve taksi, ai për tarifat që duhet t'u vihen shërbimeve taksi, mbi financimin e kuotës së anëtarësimit të Tiranës në shoqatën botërore të kryeqyteteve frankofone si dhe dy vendime për emërtime të reja në strukturën e bashkisë dhe të ndërmarrjeve në varësi të saj.