E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rrëzon vilën e vëllait të Nehat Kullës

21/05/2009  Nuk pranohen 8 rekurset e disa prej personave më problematikë në vend

Objekt Dritan Vila, i arratisur nga gjykata e vëllai i “Gjeneral” Kullës

TIRANË- Gjykata e Lartë nuk ka pranuar për katër muajt e parë të këtij viti pothuajse të gjithë rekurset e bëra nga të pandehur dhe Prokuroria për Krime të Rënda. Janë 8 çështje për të cilat është vendosur mospranimi i rekursit nga Gjykata e Lartë me arsyetime të ndryshme. Sipas vendimeve të dhëna nga Gjykata e Lartë, çështjet për të cilat është bërë rekurs nuk kanë shkelje ligjore dhe për pasojë ato nuk duhet të kalohen për gjykim. Por nga palët, të cilat kanë bërë rekurs, pasi më parë kanë kaluar shkallën e dytë të gjykimit, ka pakënaqësi. Ato janë shprehur se Gjykata e Lartë nuk ka të drejtë të mos marrë në shqyrtim çështjen për aq kohë sa mbrojtja ligjore vë re se ka parregullsi. Në Gjykatën e Lartë, përveç palës së dënuar, ka bërë ankim edhe organi i Prokurorisë në disa raste. Në listën prej 8 emrash të cilët janë kthyer mbrapsht veçohet, Dritan Vila, Artur Vaqo, Bashkim Kulla, Petrit Çakrri, Besnik Çobaj, Ilir Koçiaj, Xhevdet Rrokaj. Por nuk janë këta të vetmit persona që nuk janë pranuar në Gjykatën e Lartë. Ka edhe emra të tjerë, të cilat kanë kundërshtuar veprimet e Gjykatës së Lartë. Për Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda mospranimi i rekursit është një pikë më shumë në vlerësim. Kryetari i kësaj gjykate është shprehur se kolegjet që ai drejton janë profesionalisht të formuar dhe në këto raste një përqindje e vogël e çështjeve mund të diskutohen. Bëhet fjalë për vepra tepër të rënda dhe për pjesëtarë të grupeve të mëdha kriminale.

Vila

Kështu flasim për Dritan Vilën, i quajtur si killer në bandën e Lushnjës. Veprat që nuk janë pranuar të shqyrtohen nga shkalla superiore e gjykimit janë të ndryshme. Vila është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje në emër të bandës së Lushnjës. Ky vendim është quajtur i drejtë dhe dosja e “Vilës” nuk është hapur fare, ashtu sikundër edhe për shumë të tjerë.

Të tjerët

Më tej është vëllai i Nehat Kullës, Bashkim Kulla. Ky i fundit akuzohet për vrasjen e një komisioneri të Partisë Republikane në qendrën e votimit në zgjedhjet e vitit 2005. Kulla është dënuar me 25 vjet burg. Ndërsa më tej është Besnik Çobaj, akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Në të njëjtën linjë është edhe Ilir Koçja me shokët e tjerë të grupit të tij. Pra, janë grupe të mëdha kriminale, të cilat pretenduan se në Gjykatën e Lartë do të gjenin hapësira për të kundërshtuar vendimet e dhëna nga shkalla e parë dhe ajo e dytë. Për Gjykatën e Lartë vendimet e dhëna nga Shkalla e Parë për Krime të Rënda për disa të pandehur, akuzuar për trafik të femrave për prostitucion, vrasje me paramendim, vjedhje me pasojë vdekjen, janë të drejta. Mospranimi i rekurseve do të thotë se të gjitha provat e marra në seancë gjyqësore janë bërë duke respektuar ligjin. Ndërkohë që ka shumë procese të mospranuara nga Gjykata e Lartë dhe që janë pjesë e shkallës së parë të gjyqësorit. Janë me dhjetëra dosje të kthyera mbrapsht.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›