Gjykata e Londrës, “ok” ekstradimit të Ilir Kumbaros
Gjykata e Londrës i thotë “ok” kërkesës së autoriteteve të drejtësisë shqiptare për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit Ilir Kumbaro. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Londrës, ndërkohë që avokatët e Kumbaros kanë deklaruar se do e apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Lartë. Kanë qenë provat e pakundërshtueshme të palës shqiptare që sollën edhe vendimin e djeshëm, pavarësisht pretendimeve të ngritura nga avokati i Kumbaros, por edhe vetë ai, se nuk ishte shtetas shqiptar. Tre seanca para se të merrej ky vendim, përfaqësuesit e palës shqiptare mbërthyen me prova Ilir Kumbaron. Bëhet fjalë për katër prova të pakundërshtueshme, të cilat vërtetojnë se personi që kërkohet nga pala shqiptare është Ilir Kumbaro, ish-zyrtar i SHIK-ut dhe i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Ndonëse në momentin e arrestimit ky shtetas ka dhënë të tjera identitete, pala shqiptare ka mundur të vërtetojë për gjyqtarët londinezë se ky shtetas i arrestuar është Ilir Kumbaro dhe jo Shaqa Shatri nga Kosova. Për të vërtetuar thëniet e tyre, përfaqësuesit e palës shqiptare sollën fakte se shtetasi me këtë identitet, Shaqa Shatri, jeton ende në Kosovë dhe nuk është personi që gjendej në Angli me një pasaportë ish-jugosllave dhe që ka deklaruar se e ka origjinën nga Kosova. Pra, sipas palës shqiptare, vërtetohet se është Ilir Kumbaro personi i kërkuar prej tyre. Për këtë arsye, Ilir Kumbaros i është ngritur një akuzë, ajo e përvetësimit të identitetit. Një tjetër argument i fortë është një leje drejtimi automjeti në emrin e Indrit Kumbaros, e cila është gjetur në banesën e këtij shtetasi. Pala shqiptare i vërtetoi gjykatësve londinezë se Indrit Kumbaro është djali i Ilir Kumbaros, madje duke paraqitur dokumente nga Shqipëria që e provojnë këtë fakt. Në vijim të ndryshimeve në identitet, është verifikuar se edhe vëllai i Kumbaros, i quajtur Dashamir Kumbaro, është paraqitur pranë autoriteteve britanike për të kërkuar azil me emrin Dashamir Shatri. Këto kanë qenë disa nga provat e pakundërshtueshme të palës shqiptare, të cilat kanë gjetur krejtësisht të papërgatitur avokatët e Kumbaros. Gjyqi për ekstradimin ka filluar disa muaj më parë, ndërkohë që një sërë seancash ishin shtyrë vetëm për paraqitjen e dokumentacionit që vërteton se ky shtetas është Ilir Kumbaro dhe jo personi që ai pretendon se është. Drejtësia shqiptare u ka vënë në dispozicion autoriteteve një dosje me akuzat për Kumbaron dhe tashmë dhe provat që disponojnë për të vërtetuar se bëhet fjalë për shtetasin që kërkojnë. Ilir Kumbaro u arrestua në Londër në muajin tetor, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli dhe pas një kohe të gjatë nën survejim. Burime të “Scotland Yard” në Londër bënë të ditur se Kumbaro kishte ndërruar disa herë adresën e banimit në kryeqytetin britanik, për të mos rënë në gjurmët e policisë. Gjatë kësaj kohe, Kumbaro është mbajtur nën vëzhgim për të konfirmuar faktin nëse ai ishte në të vërtetë personi që kërkohej nga drejtësia shqiptare, apo nëse kishin të bënin me një person tjetër. Autoritetet britanike në datën 6 tetor kanë zhvilluar një gjyq, që ka pasur si palë Ilir Kumbaron, i cili duhet të paraqiste dokumentet pranë Gjykatës Britanike, që të vërtetonte se ishte personi që identifikohej e jo një tjetër.
Provat
Vërtetimi që Ilir Kumbaro nuk është Shaqa Shatri, siç pretendon, duke sjellë prova se në Kosovë jeton një person me këtë identitet
Leja e drejtimit e gjetur në banesë në emrin e Indrit Kumbaros. U sollën dokumente që provuan se Indrit Kumbaro është djali i Ilir Kumbaros
Aplikimi për azil në Londër i vëllait të Kumbaros, Dashamirit, edhe ky me identitet si kosovar, si Dashamir Shatri
Greqi, burri xheloz vret gruan dhe i vë flakën banesës për ta shfaqur si aksident
Më 17 mars, policia greke raportoi se një grua 37-vjeçare kishte humbur jetën si pasojë e flakëve të rëna në banesën e saj, por pas kryerjes së autopsisë, hetuesit grekë arritën në përfundimin se viktima ishte vrarë
Greqi
Një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia greke, pasi dyshohet se kishte vrarë gruan e tij dhe i kishte vënë flakën banesës për të gënjyer policinë dhe për ta bërë të dukej si aksident. Pas hetimeve të kryera nga policia e Atikës, u arrestua ditën e djeshme emigranti shqiptar, i cili pasi u mor në pyetje, mohoi ta ketë kryer krimin. Çifti së bashku me fëmijët kishin disa vite që jetonin në një apartament me qira në Megara. Më 17 mars, policia greke raportoi se një grua 37-vjeçare kishte humbur jetën si pasojë e flakëve të rëna në banesën e saj. Megjithatë, pas kryerjes së autopsisë, hetuesit grekë arritën në përfundimin se viktima kishte shenja dhune, të shkaktuara si pasojë e goditjeve. Hetimi i ndërmarrë çoi në arrestimin e bashkëshortit të saj, pasi sipas policisë, ishte pikërisht ai që kishte kryer vrasjen e saj dhe më pas i kishte vënë flakën banesës për të zhdukur gjurmët. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë dënimin për këtë vepër penale të kryer.
Hetimet
Pas ngjarjes së ndodhur më 17 mars, policia greke nisi nga puna për zbardhjen e rrethanave të plota të saj. Pas një jave punë, zyrtarët e policisë thanë se autor i vrasjes së emigrantes shqiptare është bashkëshorti i viktimës.
Nga hetimet rezultoi se 44-vjeçari ishte xheloz për të shoqen dhe po e vuante këtë fakt prej disa kohësh. Pikërisht paraditen e 17 marsit, ai ka larguar nga shtëpia dy fëmijët e tyre të mitur dhe i është vërsulur të shoqes, me synimin për t’i marrë jetën.
Sipas policisë greke, “krimi duket se ka qenë i menduar mirë dhe autori ka bërë përpjekje që të fshijë dhe gjurmët” Për këtë, 44-vjeçari e ka qëlluar fillimisht të shoqen në krevat me një dru në kokë dhe pasi i mori jetën, leu dhomën e gjumit me benzinë dhe i vuri flakën duke u larguar me shpejtësi nga banesa.
Sipas hetuesve, pas ekspertizës mjeko-ligjore të bërë rezultoi se e ndjera kishte humbur jetën nga goditjet me sende të forta në kokë. Autori i krimit për të zhdukur gjurmët e krimit i vuri zjarrin banesës, që ngjarja të dukej si një aksident”. I arrestuari është marrë në pyetje nga hetuesit grekë. Ai ka mohuar që ta ketë vrarë të shoqen dhe t’i ketë vënë flakën banesës.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur një javë më parë, më 17 mars, në Megara. Viktima 37-vjeçare shqiptare jetonte me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët në një banesë. Ata kishin marrë një apartament me qira në katin e katërt të një pallati. Fillimisht, ngjarja që i mori jetën 37-vjeçares shqiptare u mendua si një aksident, pasi banesa ku jetonte u përfshi nga flakët dhe e ndjera u gjet në mes të dhomës së gjumit e pajetë, me djegie të shumta. Me gjithë ndërhyrjen e zjarrfikësve nuk u arrit që të shpëtohej viktima. Pas nisjes së hetimeve nga ana e policisë dhe kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, hetuesit dolën në përfundimin se vdekja e shqiptares 37-vjeçare nuk ka qenë aksident, por ajo është vrarë, pasi janë parë në trup shenja dhune.