E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, diskutime për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe gjykatave



Zëvendëskryetari i Këshillit Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në takimin e zhvilluar me kryetarët e të gjitha gjykatave të rretheve gjyqësore dhe Apeleve diskutoi në lidhje me temën mbi mbrojtjen efektive të gjyqtarëve dhe gjykatave. Kjo çështje është një sfidë e ndarë në dy aspekte kryesore, atë të sigurisë në mjediset e gjykatave

dhe mbrojtjes së jetës së gjyqtarëve. Sipas Spahiut, KLD e konsideron detyrë primare mbrojtjen e gjyqësorit nëpërmjet përmbushjes më së pari të garancive ligjore dhe ky Këshill ka vlerësuar rëndësinë e padiskutueshme që ka garantimi i rendit dhe sigurisë në çdo gjykatë të republikës. Zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaroi se pasiguria në gjykata mund të cenojë parimin e zhvillimit të procesit të drejtë ligjor. Siguria në gjykata nuk prezumon vetëm mbrojtje të gjyqtarëve, por siguri për të drejtën, publikun, avokatët, prokurorët, si dhe për gjyqtarët gjithashtu. Në një mjedis të pasigurt, qytetarët mund të hezitojnë të kërkojnë të drejtën e tyre dhe gjyqtarët mund të kenë vështirësi në dhënien e drejtësisë. Zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shpreh se “nisur dhe nga disa ngjarje konkrete të ndodhura kohët e fundit në gjykatat e disa qyteteve kryesore, KLD është e shqetësuar mbi sigurinë e trupës gjyqësore dhe të ambienteve të gjykatave, sipas të cilit, mbrojtja e gjyqësorit është pa diskutim pjesë e autoritetit që ai ushtron”. Kreshnik Spahiu shtoi se “ata që janë përzgjedhur të japin drejtësi, dhe për pasojë, të mbrojnë interesat e ligjshme të shoqërisë, duhet të jenë vetë të mbrojtur, në të kundërt drejtësia rrezikon të duket vulnerabël”. Gjatë takimit u diskutua që në mbështetje të ligjit organik të pushtetit gjyqësor, në kompetencat e renditura të kryetarit të gjykatës është edhe kujdesi për çështjet e ruajtjes dhe sigurisë në gjykatë (Neni 18, germa “f” e ligjit), e lidhur me përgjegjësinë e kryetarëve të gjykatave ndaj shërbimit të vijueshëm të Policisë së Shtetit. Qëllimi i takimit ishte që output-i mbi aktualitetin e mbrojtjes së gjykatave t’i referohej më pas Këshillit, për të vlerësuar ky i fundit çdo hapësirë ligjore dhe mundësi të tij për përmirësimin e situatës. Zoti Spahiu mori opinionet e krerëve të gjykatave se cila është gjendja aktuale në gjykata në drejtim të organizimit të shërbimit të vijueshëm të Policisë së Shtetit, si dhe sa e justifikon ruajtjen dhe sigurinë në gjykatë shërbimi aktual i organizuar, nisur nga problematikat e reflektuara në gjykatë. Nga ana e tyre, kryetarët e gjykatave debatuan mbi problemet lidhur me ruajtjen dhe sigurinë në gjykata, me të cilat janë hasur: si në marrëdhënien me strukturat e Policisë së Shtetit, edhe në raport me komunitetin që mund të ketë sjellë shqetësime.

Prokuroria kërkon 38 vjet burg për 15 të pandehurit e “Matrix 4”

Prokuroria e Tiranës kërkoi për 15 të pandehurit e akuzuar për vjedhjen e bankomateve shpalljen fajtorë dhe dënimin me 38 vjet e 5 muaj, si dhe 600 mijë lekë gjobë. Prokurori Armand Gurakuqi deklaroi dje se të pandehurit akuzohen për veprat penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë në dëm të shumë personave, falsifikimit të letrave me vlerë dhe moskallëzim krimi. Akuza kërkoi dënimin me 8 vjet burg të pandehurit Endrit Gjergjani, me nga 3 vjet burg për të pandehurit Rei Karapici, Enea Çela, Alban Bare, Ledoi Doko dhe Indrit Abazi. Për të pandehurit Kreshnik Luku, Anil Gjergjani (Laro) dhe Blerim Abazi akuza kërkoi dënimin e tyre me 4 vjet burgim secili. Ndërsa për Redi Çikanin, prokurori kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me 5 vjet burg. I pandehuri Flamur Gashi rrezikon vetëm 5 muaj burg. Në fund të konkluzioneve të tij përfundimtare, përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënimin me 200 mijë lekë gjobë secili për të pandehurit Fatmir Kolmarku, Klajdi Terolli dhe Fatmir Borshi, të cilët janë duke u gjykuar në gjendje të lirë. Ata akuzohen për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Të pandehurit u vunë në pranga një vit më parë në sajë të operacionit të koduar “Matrix 4”. Veprat penale janë kryer nga këta të akuzuar për një periudhë rreth dyvjeçare dhe në disa qytete shqiptare, si Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe Sarandë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›