Topi: Ndihemi krenarë për punën e tyre
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ngushëlloi dje përmes një telegrami ngushëllimi familjarët e punonjësve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, të rënë një ditë më parë në krye të detyrës, në fshatin Shënmëri të Kukësit. “Rënia në krye të detyrës e dy punonjësve të policisë është një humbje e madhe për familjet, por edhe për kolegët e gjithë qytetarët e këtij vendi, që mbështesin forcat e Rendit në misionin e tyre të përditshëm në mbrojtje të rendit e sigurisë së të gjithëve. Si President i Republikës, por edhe si qytetar, nxis të gjitha strukturat shtetërore që të vendosin sa më parë përpara drejtësisë autorin e kësaj ngjarjeje që tronditi mbarë opinionin. Reagimi sa më i shpejtë ndaj këtij krimi të pashembullt do jetë përgjigjja më e mirë që i jepet çdokujt që guxon të prekë një punonjës në krye të detyrës, por edhe mirënjohja për ata që u flijuan teksa e kryenin këtë detyrë”, - shkruante Topi. “Duke ju përcjellë edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta, ju siguroj se të gjithë qytetarët e këtij vendi ndihen krenarë për punën e të dashurve tuaj dhe ndajnë me ju solidaritetin e thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme”, – thuhet në mesazhin e Presidentit.
Rama: Duhet të bashkohemi kundër krimit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar menjëherë pas ngjarjes në Kukës. Në një deklaratë të selisë rozë thuhet se “në një mesazh ngushëllimi dërguar familjarëve të policëve të vrarë, kreu i Partisë Socialiste shprehu hidhërimin për ngjarjen e ndodhur dhe solidaritetin ndaj të afërmve të viktimave. Rama ka theksuar se ngjarja e mbrëmshme ishte një goditje për të gjithë, ndaj të gjithë duhet të bashkohemi kundër krimit”. “Mbrëmë u vranë dy shërbëtorë të shtetit. Përballë kriminelëve duhet të jemi të gjithë një familje”, - është shprehur lideri i opozitës. Ndërkohë që deputeti i PS, Piro Lutaj, duke folur në emër të partisë tha se “Partia Socialiste u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të punonjësve të policisë që humbën jetën, duke shprehur njëkohësisht solidaritet të plotë dhe mbështetje për veprimet e të gjitha strukturave shtetërore për kapjen e autorëve të këtij krimi makabër dhe vënien e tyre sa më shpejt përpara drejtësisë”.