E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Londrës vendos në nëntor për Kumbaron

I arrestuar në Londër, Ilir Kumbaro është paraqitur sot në gjykatë. Ajo u mblodh për të vendosur për identitetin e Kumbaros, pasi me dokumente ai është Shaqir Shatri. Ish oficeri i SHIK-ut, rezulton në Angli me dokumenta ceke dhe prej tyre ka perfituar edhe azil politik. Por gjykata londineze do të vendosë lidhur me vërtetesinë e tyre dhe kërkesen e Prokurorisë shqiptare për ekstradim. Pra është Ilir Kumbaro apo Shaqir Shatko, personi i arrestuar më 18 tetor, për llogari të Interpolit shqiptar, do të vendoset nga gjyqtarët angleze në muajin e ardhshëm.

Gjykata e Londrës vendosi sot shtyrjen e proçesit për përcaktimin zyrtar të identitetit të shtetasit që sipas Interpolit është i kërkuari ndërkombëtar Ilir Kumbaro. Seanca e ardhshme do të jetë në muajin nëntor, kjo pas kërkesës së avokatit mbrojtës për të fituar kohë në mbrojtjen e klientit të tij.

Vetë Kumbaro pretendon se është shtetasi çek Shaqir Shatri ose i njohur si Shaqo Shatri, i cili është paraqitur në vitin 1996, për azil në Angli me këtë emër, duke e fituar atë. Me këtë emër rezulton në të vërtetë edhe një shtetas çek.

Ilir Kumbaro i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, u arrestua në Londër me 18 tetor. Në banesën e tij janë gjetur një sërë dokumentesh të falsifikuara. Këto dokumenta dhe të tjera të dërguara nga Tirana do paraqiten si argumente për të vërtetuar se personi i arrestuar është Ilir Kumbaro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›