Ruli: Kriza globale prek Shqipërinë. Dëmi 1 miliard $ në vit
Shqipëria nuk është e izoluar aq sa për të mos u prekur nga kriza globale, thotë ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, në një intervistë për BBC-në. Sipas tij pasojat e krizës ndërkombëtare mund të prekin në të ardhmen eksportet e Shqipërisë, fluksin e investimeve të huaja në vend dhe dërgesat e emigrantëve që vlerësohen në rreth 1 miliardë dollarë në vit.
BBC: Në ccfarë mase mund të preket ekonomia e Shqipërisë nga kriza aktuale e tregjeve ndërkombetare të kapitalit?
Ruli: Sigurisht që Shqipëria nuk është e izoluar nga ky treg global për të mos pësuar impakt. Shqipëria, duke mos patur një hapje ekonomike ose një integrim tregtar të plotë me tregun rajonal europian dhe atë botëror, vetvetiu është e prekur më pak, përsa i përket ndryshimeve që mund të ndodhnin në shkëmbimet tona tregtare me jashtë.
BBC: Cili do të ishtë një nga sektorët që ju mendoni se do të prekej drejtpërsëdrejti nga kriza globale?
Ruli: Ndikimi do të shfaqet kryesisht në eksportet tona, të cilat janë gati 90% të orientuara drejt vendeve të BE-së dhe çdo ulje e ritmeve të rritjes apo e kërkesës konsumatore në vendet e BE-së, vetvetiu mund të shfaqet me një rënie të këtyre eksporteve. Sigurisht ky do jetë një impakt për këtë industri të re manifakturuese që është ngritur dhe është e orientuar drejt eksportit, por fenomeni ndoshta izolohet vetëm në këtë masë duke menduar që në fund të fundit sektori i eksportit në tërë peshën e tij të ekonomisë, është vetëm pak përqind.
BBC: Zoti ministër, dihet që ekonomia e Shqipërisë i ka sytë e drejtuar në një masë të madhe nga fluksi i investimeve të huaja. A nuk do të prekeshin investimet e huaja për shkak të krizës globale?
Ruli: Janë shumë projekte madhore sidomos ato të sektorit energjitik apo infrastrukturorë, të cilat duan mbështetje të fuqishme financiare në nivelet e qindra milionë eurove, të cilat do jetë e vështirë ndoshta të sigurohen në masë të plotë në tregun e kapitaleve, në tregun financiar europian apo botëror sot. Kjo mund të sjellë ulje të ritmit të realizimit të këtyre projekteve ose ndoshta dhe ngrirjen e këtyre projekteve për të rifilluar në një moment të dytë kur besimi në tregun financiar të jetë vendosur përsëri.
BBC: Një pjesë e ekonomisë shqiptare dihet që merr nje oksigjen të bollshëm do të thoja nga kontributi, dërgesat e emigrantëve. A do të preken ato nga kriza globale?
Ruli: Në varësi të shkallës sesa do të shfaqet ulja ekonomike apo reçesioni në Europë. Faktori emigracion është mjaft i ndjeshëm ekonomikisht qoftë për punësimin që kanë afro 1 milion e ca shqiptarë që janë në emigracion, të cilët nëse vendet ku ata jetojnë preken nga rënia ekonomike, një pjesë e tyre mund të rrezikojnë dhe gjendjen e papunësisë. Kjo do të reflektohet padyshim ndoshta në një ulje të nivelit të remitancave, dërgesat, që ata bëjnë në Shqipëri, që janë një nga zërat e rëndësishëm të bilancit tonë të pagesave, duke përkeqësuar në këtë mënyrë ndoshta edhe bilancin valutor të pagesave, duke rritur pra në këtë rast edhe defiçitin dhe ekspozimin tonë në riskun financiar.
BBC: A janë këto dërgesa të matshme në përqindje, zoti ministër, kontributet e emigrantëve në ekonominë tonë?
Ruli: Ka patur vlerësime të përgjithshme për remitancat, që gjithmonë janë mbajtur në një mesatare vjetore me ndryshime të pakta, rreth 1 miliardë euro në vit. Kjo është një hyrje e konsiderueshme për ekonominë tonë, qoftë si hyrje drejtuar në investime apo të drejtuara në konsum. Sikur të ndodhë qoftë dhe një 30% pakësim i tyre, vetvetiu diku do reflektohet ose në investimet e vogla ose të mesme ku ato drejtohen ose dhe në konsumim. Ky do të jetë ndoshta faktori i parë më i ndjeshëm që do të duket në këtë drejtim. Përgjithësisht është pozitiv fakti që pikërisht se jemi një ekonomi në hapje e sipër, por jo ende e hapur, në integrim e sipër, por jo e integruar plotësisht, një ekonomi që ka një sektor financiar që kryesisht është sektor bankar, për më tepër kryesisht sektor i tipit të bankave tregtare dhe jo bankave investuese, të gjitha këto bëjnë që Shqipëria në tërësinë e ekspozimit ndaj krizës të jetë ndër vendet që do ta ketë më të pakët dhe më të limituar impaktin e krizës.