E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysni Burgaj, zyrtarisht zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë



Tiranë - Hysni Burgaj, ish-drejtor i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, u prezantua dje zyrtarisht në postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Shërbimet Mbështetëse, në Ministrinë e Brendshme. Burgaj zëvendësoi në këtë detyrë Arben Doçi, i emëruar pak kohë më parë në një detyrë tjetër. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, vlerësoi punën e deritanishme të Burgajt në radhët e policisë shqiptare. Ai vuri në dukje karrierën e tij të gjatë në të gjitha nivelet e policisë së shtetit dhe sidomos në postet e Drejtorit të Policisë së Qarkut Kukës dhe së fundmi të qarkut të Gjirokastrës. Hysni Burgaj, me një karrierë 24 vjeçare, e drejtonte policinë e qarkut të Gjirokastrës prej 2 nëntorit të vitit të kaluar.

Oketa, Medalja “Për Shërbime të Shquara” Atasheut Ushtarak të Turqisë

TIRANË - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i dorëzoi dje kolonel Hasmet Akyuz, medaljen “Për shërbime të shquara” me motivacionin “Për kontributin e dhënë në drejtim të kualifikimit të personelit ushtarak të FA, si dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë”. Ceremonia për dekorimin e atasheut ushtarak të Turqisë në Tiranë, kolonel Akyuz, u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes me pjesëmarrjen e zv/ministres së Mbrojtjes Zana Xhuka, shefit të Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Maksim Malaj, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, Ministri Oketa, pasi ka shprehur ngushëllimet për viktimat që u shkaktuan ditët e fundit në Turqi nga goditjet e grupeve terroriste, tha se “do dëshiroja, që në këtë medalje që po ju dorëzojmë të mos shihni vetëm mirënjohjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FA Shqiptare, por ta shihni atë si shenjë respekti e miqësie midis dy vendeve tona, sepse edhe kontributi juaj në Shqipëri ka qenë më i gjerë se sa në fushën ushtarake”. Duke folur për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë, Ministri Oketa theksoi se ato për shumë arsye kanë qenë dhe janë shumë të mira. Të tilla janë edhe ato midis dy forcave tona të armatosura. Turqia dhe forcat e saj të armatosura kanë mbështetur e ndihmuar vazhdimisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik dhe tashmë ne jemi në prag të anëtarësimit të plotë në NATO.
Kolonel Akyuz në fjalën e tij theksoi se, “FA Shqiptare janë reformuar e modernizuar, tashmë dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është shumë e afërt dhe kjo mua më gëzon shumë. Medalja që ju më akordoni do të jetë për mua një kujtim i shkëlqyer në jetën time dhe një shenjë respekti e dashurie për Shqipërinë dhe FA Shqiptare. Unë u jam mirënjohës për këtë vlerësim. Ju faleminderit”

30 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›