Korridori 8, rihapet sërish projekti që bashkon lindjen me perëndimin
Ervin KOÇI
Diskutimet mbi projektin e “Korridorit 8” janë rihapur sërish në kancelaritë e Europës, por këtë herë të angazhuar kanë qenë edhe ministrat shqiptarë. Interesi që ka BE-ja për ndërtimin e kësaj vepre madhore, duket se këtë herë nuk do të lërë jashtë as Shqipërinë e cila është porta hyrëse e këtij korridori nga Perëndimi drejt Lindjes. Pikërisht për këtë çështje është biseduar edhe ditët e fundit në Itali mes ministrit shqiptar të Transporteve, Sokol Olldashi dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini. Ky takim mësohet të jetë zhvilluar në kuadër të Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Mobilitetin në Rajonin e Mesdheut. Në qendër të kësaj konference ishte rregullimi dhe investimi në projektet madhore të infrastrukturës në rajonin e Mesdheut dhe veçanërisht në atë të Ballkanit. Për vendet e BE-së, ky rajon ka një rëndësi të veçantë pasi në të parashikohet të kalojë dhe arteria më e rëndësishme që është Korridori 8, i cili konsiderohet si tepër i rëndësishëm për nga funksioni ekonomik jo vetëm për vendet e Ballkanit por për gjithë zhvillimin ekonomik të BE-së. Lobimi për këtë vepër duket se ka nisur seriozisht në kancelaritë europiane, duke dalë fare qartë si diskutim edhe në konferencën e posaçme që u mbajt këto ditë në Itali.
Takimi
Politikat për përmirësimin e logjistikës dhe infrastrukturës së transportit në rajonin e Mesdheut, liberalizimi, bashkëpunimi rajonal dhe eliminimi i barrierave jo fizike ishte objekti kryesor i Konferencës të mbajtur në Trieste, në datat 4 dhe 5 shkurt 2010. Ky takim ishte organizuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini. Në këtë Konferencë, ku ishin të ftuar, Ministrat e Transportit të vendeve të Mesdheut, ishte i pranishëm edhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian për Transportin, Antonio Tajani. Gjatë diskutime të mbajtura në këtë konferencë u nënvizua rëndësia e përmirësimit të infrastrukturës portuale në Shqipëri, Mal të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit të Mesdheut, me qëllim për të krijuar kushte sa më të mira dhe të favorshme për zhvillimin e transportit multimodal, duke i dhënë përparësi zhvillimit të transportit hekurudhor. Lidhja ndërmjet rrjeteve të transportit, të vendeve të Europës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës nëpërmjet rajonit të Mesdheut, janë një element thelbësor për konsolidimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve partnere. “Hapësirat e lira nevojiten për zhbllokimin e tregjeve të brendshme, për rritjen e konkurrencës ekonomike të Europës dhe krijimin e një tregu të madh në hapësirën e Mesdheut, në të cilën mallrat, shërbimet dhe njerëzit mund të qarkullojnë në një klimë liberalizimi dhe jo diskriminimi”,- deklaroi ministri italian i Punëve të Jashtme, Franko Fratini, duke e vënë theksin në radhë të parë në projektin për Korridorin 8.
Korridori
Përveç takimit të mbajtur për këtë çështje në Itali, tema e “Korridorit 8” u rihap edhe dje në Tiranë gjatë takimit që zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta zhvilloi me kryediplomatin maqedonas Antonio Miloshoski. Kryediplomati shqiptar, Meta, tha se intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, është në interesin e përbashkët duke u përqendruar në përpjekjet për të gjallëruar projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e Korridorit 8. Nga ana e tij, Ministri Miloshoski tha se, “për këtë projekt do të kërkohen edhe rrugët për të zgjeruar më tej marrëdhëniet në fushën ekonomike dhe tregtare”. Maqedonia është e para që ka nisur angazhimet serioze për të përfituar nga fondet e mëdha që do të jepen nga BE-ja, për ndërtimin e Korridorit 8. Qeveria maqedonase ka filluar hartimin e studimit për ndërtimin e hekurudhës së Korridorit 8 që kalon në territorin e saj duke vijuar që nga Shqipëria. Edhe pse ka një kosto më të madhe në ndërtimin e kësaj linje të hekurt, Maqedonia duket se është e vendosur ta bëjë e para lidhjen me hekurudhën që vjen nga Shqipëria. Për këtë qëllim autoritet maqedonase të transportit dhe hekurudhave kanë nisur punën për bërjen e studimit i cili mësohet se do të përgatitet nga kompania bullgare “Evrotrans”, e cila ka nënshkruar marrëveshjen me menaxhmentin e Hekurudhave të Maqedonisë.
Shkurt////////////////////////////
Reformat në hekurudha, 60 punonjës mbeten pa punë në Fier
Rreth 60 punonjës të shërbimit të transportit hekurudhor në Fier do të humbasin vendin e punës. Është parashikuar që brenda pak ditësh ata të preken nga reforma. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i hekurudhës në Fier, Mustaf Gashi. Ky i fundit ka pohuar se është në fazën e fundit të zbatimit projekti për një reformë në degën rajonale të transportit hekurudhor. “Janë vendosur edhe emrat e punëtorëve që do të humbasin vendin e punës dhe vetëm një kategori mjaft e vogël punëtorësh do të qëndrojnë”,- është shprehur Mustaf Gashi. Ai ka pranuar se transporti me tren nuk frekuentohet më. Situata që paraqet sot vija hekurudhore e Fierit, stacionet si dhe trenat lënë mjaft për të dëshiruar. Kjo situatë e rëndë në këtë shërbim ka bërë që për më shumë se 4 muaj asnjë udhëtar mos t’i drejtohet trenit për të shkuar në itinerarin e tij, edhe mësuesit e fshatit më të afërt të Fierit, Libofshës, të cilët një vit më parë zgjidhnin trenin për të vajtur në shkollë. Më parë oraret e nisjeve të trenave për në itinerare të ndryshme kanë qenë të shumtë. Nga viti në vit këto orare u reduktuan së bashku me trenat. Sot një tren mund të përshkojë stacionin hekurudhor të Fierit një herë në disa ditë. Tashmë hekurudhat kanë humbur funksionin e tyre fillestar dhe janë kthyer në mbikalime për qytetarët e zonave të banuara pranë tyre. Në të gjithë Qarkun e Fierit, përgjatë vijës hekurudhore janë konstatuar me dhjetëra ndërtime pa leje që nuk kanë respektuar distancën.
Shkodër-Hani Hotit, rruga nacionale në gjendje të rëndë
Rruga nacionale Shkodër-Hani Hotit që është dhe rruga, e cila lidh Shqipërinë me vendet e Europës Qendrore dhe Perëndimore në rrugë tokësore, tashmë i ngjason një rruge dytësore fshati. Ka plot një dekadë që qeveri të ndryshme premtojnë për ndërtimin e kësaj rruge, madje së fundi në muajin dhjetor është vendosur dhe një tabelë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për fillimin e punimeve por nga vëzhgimi në terren nuk shihet asnjë gjurmë punimi. Madje në tabelë është grisur dhe afati i përfundimit të punimeve. Amortizimi i rrugës, hedhja e mbeturinave për gjatë gjithë këtij segmenti, mungesa e sinjalistikës, mungesa e rrugës për këmbësorë, etj., ka bërë që rruga në fjalë përveç se një burim aksidentesh të kthehet në një makth për drejtuesit e automjeteve.
Komisioni i Ekonomisë miraton kredinë gjermane për SME-të
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar dje marrëveshjen e kredisë me vlerë 2.6 milionë euro që banka gjermane “KfW” jep për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri. Bëhet fjalë për një kredi të butë, me interes 0.75 për qind në vit dhe afat shlyerje 40 vjet. Përfitues të kësaj kredie do të jenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në qytet dhe fshat të cilat kanë të punësuar jo më pak se 50 punonjës, si dhe shoqëritë bujqësore. Zhvillimi i SME-ve është shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, pasi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 95 për qind të totalit të biznesit në Shqipëri. Ndihma të tilla janë dhënë edhe më parë nga shtete të tjera të BE-së, si Italia, Spanja etj. Aktualisht në vend po zbatohet edhe një jtetër projekt për financimin e SME-ve i cili është dhënë nga Kooperacioni Italian.
9 Shkurt 2010