E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Të miratohet urgjent në Kuvend plani kombëtar antikrizë”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i kërkoi Parlamentit që të diskutojë urgjentisht një plan kombëtar antikrizë. Deklaratat e përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar se rritja ekonomike për Shqipërinë për këtë vit parashikohet të jetë 0 deri në 1 për qind, i quajti si një rrezik që është lajmëruar me kohë nga LSI-ja. Meta përmendi edhe tregues të tjerë, si: rënia e vlerës së lekut, rënia e eksporteve, papunësia në rritje dhe rënien e besimit të konsumatorëve si tregues të një realiteti ekonomik. Si shkaktar të kësaj gjendjeje ai akuzoi kryeministrin Berisha, i cili, sipas tij, nuk do ta shikojë dhe ta pranojë këtë realitet. Kreu i LSI-së u shpreh se Berisha po bën premtime dhe mashtrime vetëm për qëllime elektorale. Ai e cilësoi kryeministrin si përgjegjësin kryesor për këtë situatë të vështirë ku ndodhet vendi. Gjithashtu Meta akuzoi qeverinë për mungesën e reagimit dhe të masave nga ana e saj për të përballuar krizën. Kreu i LSI-së propozoi masa antikrizë, të cilat duhet të synojnë në mbështetjen e qytetarëve me të ardhura më të ulëta me asistencë, në mbështetjen e industrive që prodhojnë për eksport, për të garantuar nivelin aktual të punësimit si dhe aktivitetin e tyre normal ekonomik në rritjen e besimit të biznesit për investime, kryesisht në drejtim të prodhimit vendas, si dhe në rivlerësimin e investimeve publike dhe kontrollin e shpenzimeve. Meta nuk hezitoi të komentonte edhe disa fakte që implikojnë kryeministrin Berisha dhe të akuzuarin kryesor të Gërdecit, Delijorgjin. Ai i dha mbështetje të plotë Prokurorisë së Përgjithshme për hetimet mbi këtë çështje. “Ne kemi dhënë dhe japim gjithnjë përkrahjen më të vendosur ndaj Prokurorisë dhe gjykatave, që të zbatohet ligji ndaj cilitdo, duke filluar nga kryeministri Berisha“, - tha Meta.

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›