E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës shpall të pavlefshme fletë-thirrjen ndaj ministrit Basha

Avokati Zef Nikaj dhe gjyqtarja Fatmira Hajdari në seancë (Foto: NOA)

Reagon prokurori: E kemi sërish të pandehur

Tiranë, 15 dhjetor 11:49 - Gjykata e Tiranës e shpalli sot të pavlefshme fletë thirrjet ndaj ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, ku Prokuroria e Përgjithshme e kërkonte të paraqitej për t’u marrë në pyetje si i pandehur për shpërdorim detyre lidhur me rrugën Durrës-Kukës, kur Basha ishte Ministër i Transporteve.

Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtarja Fatmira Hajdari e cila pranoi kështu kërkesë padinë e Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha në ngarkim të prokurorisë.

Basha pretendonte në kërkesë, përmes avokatit të tij Zef Nikaj, se prokuroria ka kryer veprime të paligjshme ndaj tij.

Ndërsa prokuroria pretendon krejt të kundërtën. Sipas kryeprokurores Ina Rama, nga ana e organit të akuzës nuk janë kryer veprime pas vendimit të marrë nga gjykata më datën 18 nëntor, ashtu siç edhe pretendon ministri.

Jo vetëm kaq. Prokuroria publikisht pas pretendimeve të mbrojtjes së Lulzim Bashës bëri me dije se kërkesë padia e Andi Tomës dhe Armand Telitit në gjykatë ishte individuale, kur në atë periudhë ministri Basha ishte vetëm person nën hetim.

Sakaq, po sot Gjykata e Lartë pritet që të caktojë datën për nisjen e procesit në ngarkim të ministrit Basha, i akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tenderë”.

Fatmira Hajdari, duke dhënë vendimin, tha se ajo i pranonte të dyja kërkesat e Bashës që lidheshin me shpalljen të pavlefshme të dy fletë-thirrjeve në Prokurori dhe formulim,in e akuzës si person i pandehur.

Ndërkohë, prokurori i çështjes Arben Kraja, e ka hedhur poshtë vendimin e Hajdarit, e veja e liderit të Dhjetorit ’90, Azem Hajdari, duke deklaruar se pavarësisht vendimit gjyqësor, Basha do të vazhdojë të jetë i pandehur.

c.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›