PS-ja solidarizohet me Krenar Ahmetin
Partia Socialiste shprehu dje solidaritetin qytetar ndaj drejtorit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti dhe familjes së tij, pas aktit të djegies së makinës mesditën e djeshme. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha se ky akt ka një domethënie të qartë për qeverinë, e cila duhet të reagojë energjikisht për të kapur fajtorët. “Dhe për opozitën e cila është e do të jetë në çdo rast si ky në krah të punonjësve të shtetit e të familjeve të tyre, po edhe për qytetarët e këtij vendi, domethënia e këtij rasti është e qartë: Askush nuk është i sigurt në këtë vend ku gjithkush është i kërcënuar nga pasiguria e jetës, e punës, e rrugës”, - deklaroi Kodheli. Ajo vuri në dukje se ky është jo vetëm një tjetër rast në fillin e rasteve të përditshme të dhunës e pasigurisë, por edhe një rast veçanërisht flagrant për të reflektuar mbi nevojën e ndryshimit të madh që na duhet. Ky është një rast për të reflektuar mbi domosdoshmërinë e bashkimit qytetar për largimin e kësaj qeverie.