E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët, kundër ligjit të dosjeve, reagojnë ish-të përndjekurit



Shoqata e Gjyqtarëve ka kundërshtuar dje ashpër ligjin e dosjeve duke e cilësuar atë si antikushtetues ndaj dhe sipas tyre, ai ligj nuk duhet të miratohet në Kuvend. Manjola Bejleri, kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve, tha dje se shoqata do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese këtë ligj, ndaj dhe kërkoi nga ana e politikës të tërhiqet. Sipas saj, në projektligj i lihet një gjyqtari të ankohet vetëm një herë në gjykatë dhe kjo nuk pranohet nga gjyqtarët, që sipas Bejlerit, do të sjellë reduktimin e numrit të gjyqtarëve. “Tashmë krijohet dhe një organ i ri, tërësisht politik, i cili përcakton të qenit ose jo gjyqtar, që është Autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili në mënyrë të çuditshme kushtetueshmërisht, vihet mbi të gjitha organet kompetente për shkarkimin e gjyqtarëve. Ky projektligj i cili prek në mënyrë të drejtpërdrejtë statusin e gjyqtarit, parashikon të kalohet për miratim vetëm me një shumicë të thjeshtë. Ky fakt, nga pikëpamja procedurale e miratimit të ligjit, e bën këtë ligj antikushtetues. Për sa më sipër, u kërkojmë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, që për problemet që shfaq projektligji “Për pastërtinë e figurave” në disa dispozita të tij, e veçanërisht të atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të mos miratohet”, - deklaroi Bejleri.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-të përndjekurve politikë. Simon Miraka, drejtori i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, dënoi ashpër deklaratën e Shoqatës së Gjyqtarëve duke deklaruar se projektligji nuk merret me statusin e gjyqtarëve, por me makinën vrasëse të diktaturës. “Besoj se zonja Bejleri duhet ta kuptonte që ky ligj nuk merret me statusin e gjyqtarëve të sotëm apo me persona të tjerë, por ai merret me makinën shtetërore komuniste që dhunoi çdo të drejtë elementare të njeriut. Unë e kuptoj se asaj i duhet të mbrojë familjarët e saj që dënuan mizorisht njerëz të pafajshëm, por ajo nuk mund të përdorë një shoqatë për të mbrojtur krimet e komunizmit dhe xhelatët tanë. Është fatkeqësi që këta njerëz kanë marrë statusin e zyrtarit të lartë, prokurorit apo gjyqtarit. Dhunuesit e të drejtave të një populli të tërë nuk mund e nuk duhet të jenë në Parlament, Presidencë apo në Prokurori”, - tha Miraka. Drejtori i Institutit, Miraka, tha më tej se deklarata e gjyqtares Bejleri nuk është tjetër por vetëm kthim në origjinën e saj komuniste. Ai tha se projekti shqiptar është shumë i butë. “Marrjen e ligjit çek si model për ligjin shqiptar “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, ish-të përndjekurit e vlerësojnë si të papërshtatshëm për vendin tonë për vetë shkallën e lartë të krimeve që diktatura komuniste kreu tek ne. Ky është një ligj shumë i butë që nuk vë përfundimisht drejtësinë në vend. Shqipëria ka kaluar një diktaturë komuniste shumë të më egër se çdo vend tjetër i Evropës Lindore, që do të thotë që ligji shqiptar duhet të ishte shumë më i rreptë se ligji çek, por edhe më i rreptë se ai polak”, - shtoi Miraka. Njëkohësisht ka pasur reagime edhe nga ana e politikës. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, si dhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, deklaruan se ligji i dosjeve duhet t’i shkojë deri në fund qëllimit të tij. “Për këtë çështje shumë të rëndësishme për shtresën tonë të masakruar nga diktatura komuniste, ne theksojmë në mënyrë të qartë se ligji për pastërtinë e figurave do të ishte krejtësisht i cunguar dhe i kompromentuar në rast se do të bënte përjashtime specifike për sekretarët e parë dhe ministrat e diktaturës”, - tha Spahiu.

Kryeministri Berisha dënon aktin e plagosjes së mjekut Ylli

Kryeministri Sali Berisha dënoi dje aktin kriminal të plagosjes së mjekut prof. as. Agron Ylli. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë akt si kriminal dhe të shëmtuar që u bëhet bluzave të bardha ndaj dhe ka dënuar ashpër këtë akt. Kryeministri Sali Berisha i uroi shërim të shpejtë mjekut Agron Ylli, sikundër kërkon nga institucionet përkatëse që agresori të marrë ndëshkimin e merituar. Mjeku Agron Ylli, etnokrinolog dhe diabetolog, u plagos me armë të ftohtë mëngjesin e ditës së ente, në mjediset e klinikës së tij private në Tiranë, nga Bujar Valisi, i cili u arrestua menjëherë nga policia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›