E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI-ja, qeverisje larg monopoleve

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje Konferencën e Dytë Zgjedhore të Lëvizjes së Gruas për Integrim në rrethin e Beratit. Duke marrë fjalën në këtë takim, lideri i LSI-së, z. Ilir Meta, tha se gratë dhe vajzat e rrethit të Beratit, sikurse në të gjithë Shqipërinë, duhet të kenë më shumë iniciativë dhe më shumë përkushtim për të pasur një shoqëri më të emancipuar. Ai theksoi se problemi i grave dhe i vajzave shqiptare është një problem jo thjesht i tyre, por një problem i të gjithë shoqërisë. Duke folur për situatën politike, Meta shprehu garancinë për suksesin e padiskutueshëm që do të ketë LSI-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku LSI-ja do të jetë forca që do të përcaktojë një qeverisje progresiste. "LSI-ja do të garantojë një qeverisje që nuk do të jetë më peng i monopoleve, sikurse ka qenë deri tani, një qeverisje që t'i shërbejë atyre që e votojnë dhe e besojnë, që t’i shërbejë qytetarëve në mënyrë të ndershme dhe transparente, një qeverisje për njerëzit dhe në radhë të parë për ata që kanë më shumë probleme sociale dhe që kërkojnë mbështetjen e LSI-së përmes politikave të saj", - u shpreh Meta. Në përfundim të konferencës nëpërmjet dy kandidaturave alternative, kryetare e LGI-së për rrethin e Beratit u zgjodh ish-mësuesja e njohur e këtij qyteti, znj. Sadete Myftari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›