Gjykata e dënon Albana Lazen me 12 vite burg për mashtrim
Tiranë - Gjykata e Rrethit të Tiranës dënoi dje me 12 vjet burg Albana Lazen të akuzuar për veprën penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit” dhe “shpifjes për shkak të detyrës”. Vendimi u shpall dje rreth orës 13:30 nga ana e gjyqtarit Bujar Krasniqi, i cili e ka deklaruar të pandehurën fajtore. Një seancë më parë prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës dënimin e të pandehurës me 12 vjet burg. Laze u arrestua më 17 tetor të vitit të kaluar pas denoncimit të familjarëve të Emiljano Shullazit dhe Ervin Ferhatit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se ata kishin paguar një shumë prej 150 mijë euro për lirimin e të afërmve të tyre.
Albana Laze, sipas pretencës, iu ishte prezantuar të afërmve të dy të pandehurve se kishte lidhje familjarë me ish-kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, dhe se njihte ish kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Adnan Kosova.
Gjykata merr në rishqyrtim çështjen për Mulosmanin
Tirane- Gjykata e Tiranës ka marrë për rigjykim çështjen penale në ngarkim të Jaho Mulosmanit, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasve, Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti, në vitin 1999 në Tropojë. Çështja në fjalë ndaj Mulosmanit, i cili vuan dënimin me burg të përjetshëm si një nga autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998 në Tiranë, është regjistruar në gjykatë para dy ditësh dhe do të shqyrtohet së shpejti nga një trup gjykues, që do të drejtohet nga Petrit Çomo. Vendimi për rigjykimin e çështjes në ngarkim të Mulosmanit është marrë pak kohë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila vërejti shkelje procedurale të kryera gjatë shqyrtimit të saj në shkallët më të ulëta të gjyqësorit. Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit e kishin shpallur fajtor dhe dënuar me burg përjetë Jaho Mulosmanin për vrasjen me armë zjarri të shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurtit në vitin 1999 në qendër të Bajram Currit. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja e rëndë kishte për motive hakmarrjen.
24 Prill 2009