E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e kthen në punë, pushohet sërish

Përmes qindra rasteve së të larguarve nga administrata, që përplasen në gjykatat shqiptare, ky është mbase ai që duhet të përbëjë një rekord të padiskutueshëm. 

Ferdinand Dervishi

Një rekord për faktin se personazhi i larguar nga puna, pasi merr vendimin e gjykatës dhe shkon në ndërmarrjen e vet, merret sërish në punë nga drejtori, dhe deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë. Por gjithçka merr përmasat e rekordit 24 orë më pas, kur personazhit tonë i rrasin në duar urdhrin e dytë të pushimit nga puna. Një urdhër që për fat të keq mban përfund firmën e një profesor doktori. Por le të flasim me emra të përveçëm dhe fakte të dokumentuar. Personazhi ynë quhet Dolorez Rukaj, punonjëse me rreth 30 vjet eksperiencë në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar (SH. GJ.SH). Punëdhënësi i saj, edhe ky personazh i të njëjtit shkrim, të paktën sipas siglës përfund dokumenteve të lëshuara, është drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Profesor Doktor, Adil Neziraj. Me të mbërritur në krye të këtij shërbimi, zoti Neziraj, qoftë në kuadër të reformës, harton një listë me emrat e tetë punonjësve “që dalin të tepërt nga ristrukturimi i SH.GJ.SH”. Mes këtyre emrave, me numrin rendor 6, është edhe personazhi ynë, Dolorez Rukaj. Ky dokument mban datën 20 tetor 2006.  
Vendimi i Gjykatës së Tiranës
Natyrisht që punonjësja me rreth 30 vite eksperiencë nuk mund të pajtohej me këtë vendim të drejtuesit të shërbimit. Ashtu si edhe qindra e qindra të tjerë ajo trokiti në gjykatë. Një vit e dy muaj më pas gjyqtari Gerd Hoxha, me vendimin nr. 9307, të datës 21 dhjetor 2007, shprehet për këtë çështje në shtatë faqe me shkrim të imët. Në fund vendimi thotë: Pranohet pjesërisht kërkesë-padia e paditëses Dolorez Rukaj, detyrohet pala e paditur, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, t’i paguajë dëmshpërblim paditëses të barabartë me 6 paga mujore me nga 24.5 mijë lekë secila. Kaq. Vendimi merr formën e prerë për paditësin më datën 05.01.2008 dhe për të paditurin në mungesë, më datën 02.02.2008. Vendimi është zbardhur nga Gjykata e Tiranës më 05.02.2008. Ky vendim ka dalë nga gjykata në orën 13:00. Në datën 6, pra, një ditë më pas, me vendimin në duar, Dolorez Rukaj ka trokitur në dyert e Shërbimit Gjeologjik. Por drejtori Neziraj nuk ka qenë atë ditë i pranishëm. Të dy takohen një ditë më pas. Krejt miqësor, drejtori Neziraj i jep Dolorezit vendimin për të filluar duke i thënë: Nesër eja të fillosh punë. Por gëzimi zgjat më pak se 24 orë. Të nesërmen, në datën 8 shkurt, ndërsa Dolorezi kapton pragun e ndërmarrjes, i jepet një urdhër me numër protokolli 116, që thoshte se sërish hidhej në rrugë.
Justifikimi banal
Dhe a e dini si vazhdon përralla? Se nga ky moment e gjithë kjo histori ngjan vetëm me një përrallë. Argumentimi i pushimit nga puna për herë të dytë është tekstualisht i tillë: Meqenëse punonjësja Dolorez Rukaj nuk e ka filluar punën më datën 04.02.2008 dhe as dy ditët në vazhdim, pa shkaqe të arsyeshme, si rrjedhim kontrata e punës me këtë institucion konsiderohet e zgjidhur në mënyrë të menjëhershme e pajustifikuar nga punëmarrësi”. Shkurt argumenti është se Dolorez Rukaj nuk është paraqitur në punë në kohën e duhur. Po le ta shtjellojmë këtë moment. Vendimi i Gjykatës së Tiranës ka marrë formë të prerë për të paditurin, pra Shërbimin Gjeologjik më datën 2 shkurt 2008. Sipas kalendarit që e përdor shumica e botës, përfshirë shqiptarët, data 2 shkurt 2008 ka qëlluar e shtunë dhe data 3, e diel. Në këto ditë administrata e ka pushim. Por vendimi ka dalë nga Gjykata e Tiranës, pra është zbardhur, më datën 5 shkurt 2008, në orën 13:00. Kështu që Dolorezi nuk mund të shkonte pa e pasur një kopje të tij në ndërmarrje në datën 4. Por as në 5, pasi nuk ka kohë të mjaftueshme. Në datën 6 drejtori mungon dhe vetëm në datën 7 bëhet kontakti. Kjo është një logjikë e thjeshtë matematike. Por ka edhe me keq se kaq. Në argumentimin e tij gjykatësi Gerd Hoxha e quan të pavlefshëm largimin e parë nga puna të Dolorez Rukajt, më 20 tetor 2006 për faktin se ajo ka qenë në spital e shtruar dhe se nuk është lajmëruar nga punëdhënësi për procedurat e ndërprerjes së kontratës së punës. Sipas të njëjtit gjykatës: “Gjykata çmon se zgjidhja e kontratës individuale të punës nga pala e paditur nuk është e vlefshme. Për pasojë marrëdhënia e punës mes paditëses Dolorez Rukaj dhe palës së paditur SH.GJ.SH., nuk është ndërprerë asnjëherë, por vazhdon të ekzistojë, sa kohë që pala e paditur nuk ka marrë ndonjë veprim tjetër pas datës 02.12.2006, ku të shprehë vullnetin e saj për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës më paditësen Dolorez Rukaj”. Pra, në këtë pikë jemi në këtë mish-mash të madh. Drejtori i Shërbimit Gjeologjik largon punonjësen nga puna më 20 tetor 2006. Një vit më pas, më 21 dhjetor 2007, gjykata thotë se sipas ligjeve Dolorez Rukajt nuk i është ndërprerë ligjërisht kontrata e punës. Gjatë kësaj periudhe Dolorezi nuk ka qenë në punë dhe rrjedhimisht nuk është paguar. Në vendimin e saj gjykata nuk i kërkon Shërbimit Gjeologjik të kthejë në punë Dolorezin. Pas vendimit të gjykatës drejtori Neziraj e rimerr në punë punonjësen e shkarkuar. Dhe 24 orë më pas i njëjti e shkarkon duke e justifikuar këtë me paraqitjen dy ditë më vonesë në punë. Të dalë dikush e të thotë se në këtë moment nuk jemi përballë një rekordi! 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›