E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakujdesia, zjarr në botin e gazit

Zjarri në një cisternë private të gazit gati ka shkaktuar një tragjedi në Nartë të Vlorës. 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Pakujdesia e dy punëtorëve gjatë shkarkimit të botit ka provokuar flakë, shumë pranë dhjetëra cisternave të naftës e gazit në pronësi të shoqërive shtetërore e private. Për fat, në kohë rekord është arritur mbyllja e saraçineskave të gazit prej punëtorëve, të cilët mbetën të plagosur gjatë këtij veprimi. Por duke shmangur një katastrofë që mund të ndodhte në qytetin bregdetar. Ngjarja është shënuar rreth orës 13:30, në një prej boteve të gazit që gjendet në pikën e gazit “Kalaja” në Nartë. Flakët e para kanë alarmuar punëtorët, të cilët me mjete rrethanore e fikës zjarri të vogla, kanë tentuar shuarjen e tij. Përballë flakëve ata kanë rrezikuar jetën, ndërkohë që është kërkuar ndihma urgjente e repartit zjarrfikës. Forcat e shuarjes së zjarrit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, pasi kishin marrë njoftim se një sipërfaqe me shkurre kishte marrë flakë. Për këtë arsye zjarrfikëset ishin furnizuar me ujë e jo me solucion të përshtatshëm në të tilla incidente. Sapo është konstatuar se rreziku ishte shumë herë më i madh, janë kërkuar përforcime. Mësohet se gjatë tentativës për të shuar flakët, dy punëtorë të firmës janë djegur në duar e pjesën e parme të trupit. Ata kanë tentuar të mbyllin rubinetet e gazit të autobotit, duke arritur përballë flakëve. Me shpejtësi u dërguan në spital, ku sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas zjarrfikësve, si pasojë e flakës së dalë nga cisterna-autobot është djegur dhe një automjet i firmës që ndodhej pranë, ndërkohë që është cilësuar fat që zjarri nuk ka depërtuar deri te cisternat e tjera. Komandanti i zjarrfikësve në Vlorë, Arten Osmënaj, i cili drejtonte operacionin, e ka cilësuar situatën shumë të rëndë dhe mund të ishte përshkallëzuar, duke rrezikuar dhe zonën përreth nëse do të shpërthente depozita apo boti. Ai pohoi se është ndërhyrë në kohë duke u mbyllur rubineti mekanik dhe automatik i botit, i cili vepron në raste zjarri. Sipas tij, pritet ekspertiza për të saktësuar shkaqet e rënies së zjarrit. Përballë frikës së shpërthimit të depove në këtë stacion të cisternave të karburanteve, punëtorët e firmës “Kalaja” pohuan se kur ka rrjedhje gazi kryhet mbyllja automatike, ndërsa në afërsi të depove ka mjete të specializuara për shuarjen e flakëve. Për këtë ngjarje kanë nisur hetimet, deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe për të nxjerrë përfundimin mbi rrezikshmërinë e një incidenti përballë depozitave të gazit e naftës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›