E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, me pagesë numri 128 i zjarrfikësve, pas abuzimeve

SHKODER - Numri i telefonit 128, i cili funksionon në raste emergjencash të rënieve të zjarrit, duhet të ofrohet me pagesë. 

 Më tepër si propozim, kreu i zjarrfikësve të Shkodrës, Ilir Kopliku, e ka transmetuar si shqetësimin më të madh të repartit që ai menaxhon. Ai pohon se janë të shumtë personat e papërgjegjshëm që i kanë shndërruar në lojë telefonatat drejt këtij numri, duke e bllokuar atë për orë të tëra. Në këtë mënyrë, qytetarët që kanë nevojë reale për ndihmën e zjarrfikësve nuk arrijnë të bëjnë në kohë njoftimin e tyre. Sipas Koplikut, të papërgjegjshmit po krijojnë mjaft probleme dhe anomali në punën e PMNZHSH-së. Nisur nga ky fakt, shefi i zjarrfikësve u bën apel qytetarëve shkodranë që të mos luajnë me numrin e këtij reparti, pasi është i domosdoshëm për të gjithë komunitetin. “Ne kemi 5 numra në dispozicion, 128 me kompanitë celulare dhe telefonin fiks si dhe dy numra 43333 dhe 47070. Si zgjidhje të situatës së krijuar do të propozoj që këto numra të bëhen me pagesë, në mënyrë që të mënjanohet rituali i mbajtjes së numrit të bllokuar”. Kopliku pohon se është kërkuar ndihma e prokurorisë për të identifikuar dhe çuar para drejtësisë autorët. “Duhet ta kenë të qartë se të gjithë numrat që mbajnë të bllokuar zjarrfikëset janë të memorizuar në aparaturat e këtij shërbimi të domosdoshëm. Në këtë mënyrë do të kërkojmë ndjekjen penale të atyre që kalojnë kohën, kur të tjerë janë përballë një fatkeqësie”. Nga ana tjetër, Kopliku garanton se reparti zjarrfikës është në gatishmëri maksimale për ndërhyrje të shpejta në çdo rast. “Për Shkodrën kemi në gatishmëri 3 automjete zjarrfikëse dhe 2 për shpëtim, 2 për Malësinë e Madhe dhe 2 për Pukën”, pohon kreu i zjarrfikësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›