E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje mes shqiptarësh në Angli, vjen i dënuari me 22 vite burg

Fation Kaprri ka vrarë me thikë shqiptarin tjetër, Ylli Pepa. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2002 I riu nga Cërriku ishte në kërkim që nga viti 2002, pas vendimit të formës së prerë nga gjykata

Artan CENA
ELBASAN - Kërkohej prej tetë vitesh, kapet në Angli. Një 31-vjeçar është sjellë në pranga ditën e djeshme nga Britania e Madhe, pasi ishte dënuar në vendin tonë me 22 vite burg. Fation Kaprrit i duhet që të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Elbasanit në një burg shqiptar. Lajmi është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme nga burime zyrtare të Policisë së Elbasanit. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e policisë lokale, Valbona Begu, tha dje se gjendja e vendndodhjes së Kaprrit është bërë e mundur pas hetimeve të ndërmarra në rrugë operative. Siç është bërë e ditur nga policia, Kaprri akuzohet se në vitin 2002 ka vrarë me thikë një bashkëkombës dhe ngjarja ka ndodhur në Angli. Gjykimi i tij është bërë në Shqipëri dhe të gjitha shkallët e Gjyqësorit kanë lënë në fuqi vendimin për dënimin e tij me 22 vite burg.
Kërkimet
Prej disa vitesh policia shqiptare nuk kishte informacione për Fation Kaprrin, 31-vjeçarin nga Cërriku, i cili ishte dënuar për vrasje. Pak muaj më parë, disa informacione operative të ardhura në Policinë e Elbasanit kanë bërë që kërkimet të merrnin drejtimin e duhur. Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Elbasanit, i dënuari me vendim të formës së prerë ishte në Londër. Pasi është mundësuar gjetja e adresës së tij, është kërkuar ndihma e Interpol Tiranës. Këta të fundit, pasi kanë bërë gati dosjen, e kanë nisur në drejtim të Londrës. Skotland Yardi anglez e ka marrë çështjen në dorë. Kanë bërë verifikimet dhe ka rezultuar se adresa ishte e saktë dhe personi në kërkim ishte Fation Kaprri. Menjëherë janë marrë masat dhe i kërkuari është vënë në pranga. Ai është shoqëruar në komisariat ku është bërë identifikimi i tij dhe krahasimi me të dhënat e ardhura nga Shqipëria. Pasi janë bërë verifikimet ai ishte personi i kërkuar nga Drejtësia shqiptare, Policia angleze ka njoftuar homologët shqiptarë. Menjëherë kanë nisur procedurat e ekstradimit të tij, që është bërë gjatë ditës së djeshme.
Ngjarja
Fatjon Kaprri, 31 vjeç, lindur në Cërrik dhe banues në Elbasan, në lagjen “28 Nëntori”, është dënuar dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia, që nga data 17 prill 2002. Këtë ditë ai është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me 22 (njëzet e dy) vite burg për veprën penale të “vrasjes me paramendim”. Policia ka bërë të ditur se ai akuzohet për vrasjen me thikë të Ylli Pepës. Ngjarja kishte ndodhur pas një zënke dhe 31-vjeçari e ka goditur me mjetin Pepën, duke i sjellë dhe vdekjen. Kjo ngjarje ka ndodhur në shtetin britanik.

Kërkohej nga Drejtësia italiane, arrestohet Dhima

DURRËS - Arrestohet në Durrës një i shumëkërkuar nga Drejtësia italiane dhe ajo shqiptare për trafik ndërkombëtar të narkotikeve. 34-vjeçari Ilirian Dhima është arrestuar nga blutë e Durrësit, pasi ishte dënuar në vitin 2007 me 20 vite burg nga gjykata italiane e Leçes për trafikun ndërkombëtar të drogës, si dhe kishte marrë masën e “arrestit me burg” në maj të këtij viti nga Gjykata e Durrësit. I arrestuari ishte shpallur në kërkim nga ana e Drejtorisë së Policisë Durrës që në datën 26 maj 2010. Gjatë periudhës që ka qenë në kërkim, Dhima i është shmangur hetimit duke ndryshuar vazhdimisht identitetin e tij dhe duke u strehuar në banesa të ndryshme. Pas punës së bërë nga struktura për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, u arrit të përcaktohet identiteti i vërtetë si dhe të bëhet e mundur kapja e 34-vjeçarit në fjalë në një lokal në Lagjen Nr. 13 Durrës.

Plagosi bashkëshorten, 75-vjeçari me probleme mendore
KORÇË - Gjykata e Korçës ka urdhëruar shtrimin në spitalin psikiatrik për 75-vjeçarin, i cili, pasi plagosi me armë zjarri bashkëshorten e tij, në momentin e arrestimit qëlloi dhe ndaj forcave të policisë. Ngjarja ndodhi disa ditë më parë në qytetin e Pogradecit, kur Rexhep Karaj ishte ngujuar me një armë zjarri prej tetë orësh pasi kishte plagosur me armë gruan e tij, shtetasen Fetije Karaj, 72 vjeçe. Menjëherë pas krimit policia shkoi në vendin e ngjarjes, por i moshuari kundërshtoi hyrjen e forcave të rendit në banesë duke qëlluar disa herë në drejtim të policisë. Në vendin e ngjarjes është kërkuar ndërhyrja e efektivave të forcave speciale RENEA, të cilat, pas negociatave me 75-vjeçarin Rexhep Karaj, ish-ushtarak, e kanë detyruar atë të vetëdorëzohet pa bërë rezistencë me armë. Siç u mësua më pas nga policia, ngjarja kishte ndodhur për shkak të zënkave që kishte çifti prej kohësh.

Flakët shkrumbojnë banesën, familja në qiell të hapur

BULQIZË - Një shtëpi dykatëshe në lagjen e re të qytetit të Bulqizës pothuajse është shkrumbuar komplet si pasojë e një zjarri që ra në të. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit të djeshëm, ku një kalimtar i rastit ka parë të dilte flakë nga çatia e ndërtesës dhe ka lajmëruar familjarët menjëherë pasi ata ishin në gjumë. Menjëherë familjarët kanë lajmëruar zjarrfikësen dhe forcat e policisë për t’u ardhur në ndihmë, të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit. Mirëpo flakët kanë qenë mjaft të fuqishme dhe janë dashur pak minuta që katin e dytë ta shkatërrojnë komplet. Sipas policisë, shkaku i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, e cila ka bërë që linja të marrë flakë duke depërtuar nëpër çatinë e ndërtesës. Aktualisht kjo familje prej 10 vetash ndodhet jashtë, në pritje për t’u strehuar në ndonjë vend tjetër.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›