Pritet dhe vidhet për skrap fari i Bunecit
SARANDË - Vidhet për skrap fari i limanit të Bunecit në Sarandë. Kulla me dritë që udhëhiqte mjetet lundruese drejt tokës, është gjetur e bastisur nga policia, ndërsa kjo e fundit hedh dyshime se fari ka përfunduar në tregun e skrapit. Tashmë moli i ankorimit të anijeve në gjirin e Bunecit është pa farin e tij dhjetëavjeçar. Fari i Bunecit ishte rreth 6 metra i lartë dhe mendohet se pjesët metalike të tij janë copëtuar dhe shitur për skrap. Pronarët e lokaleve përreth tij kanë konstatuar dje në mëngjes herët se në sipërfaqen e betontë të molit, fari prej xhami dhe metali, është prerë me sharra elektrike. Policia ende nuk ka identifikuar ndonjë autor të kësaj ngjarjeje të rrallë.
Peshkonte me dinamit, plagoset ish-polici
DEVOLL - Një ish-efektiv i policisë ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit të një sasie dinamiti me të cilën do të peshkonte në lumin Devoll. Ngjarja mësohet se ka ndodhur dy ditë më parë. Burime zyrtare nga policia lokale kanë bërë të ditur se shpërthimi i ka shkaktuar plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit ish-policit Nandir Shuaipi. Sipas burimeve, 45-vjeçari aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, por nga shpërthimi ka humbur dorën e djathtë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për këtë rast. Siç është mësuar, Shuaipi shkonte shpesh herë për të peshkuar në lumin Devoll dhe kishte zgjedhur metodën e dinamitit për të kapur peshk.
11 Qershor 2010