Takimi në Itali, Maroni, Bashës: “Lëvizje pa viza për shqiptarët brenda 2010-s”
ROMË - Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, garanton homologun shqiptar për liberalizimin e vizave brenda vitit 2010. Gjatë takimit të zhvilluar me ministrin Basha, Maroni vlerësoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë italiane për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. “Shpreh bindjen se qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në hapësirën ‘Shengen’ brenda këtij viti”. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, i cili zhvilloi dy ditë më parë një vizitë pune në Itali. Ministri i Brendshëm italian, duke vlerësuar hapat e Shqipërisë në përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave, ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë italiane për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti. Ministri i Brendshëm Basha e falënderoi ministrin Maroni, që së bashku me ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së, morën në shqyrtim pa asnjë vonesë dhe mbështetën fuqimisht propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Gjatë takimit Basha informoi homologun italian për një sërë masash që janë marrë dhe po ndërmerren nga qeveria shqiptare në kuadër të proceseve integruese në BE. Ministri shqiptar e informoi Maronin se qeveria shqiptare ka miratuar strategjinë për riintegrimin e të riatdhesuarve, si dhe ngritjen dhe funksionimin e njësisë për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale. Po kështu e njohu me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbi luftën për parandalimin e kultivimit të Cannabisit, si dhe për funksionimin me sukses të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare.
11 Qershor 2010