E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënohet me jetë familja e 6-vjeçarit të dhunuar seksualisht

Babai i të miturit, Pëllumb Kurti, deklaron se është kërcënuar me vrasje nga familja e Mandi Dokut

ELBASAN - Pas ngjarjes së rëndë të përdhunimit të djalit 6-vjeçar nga Shushica e Elbasanit, familja e të miturit ka reaguar duke kërkuar ndihmë nga policia pasi ndihen të kërcënuar nga familja e autorit. Mbi të gjitha, nëna e të miturit shprehet se kanë nevojë për një psikolog pas traumës që ka pësuar e gjithë familja nga kjo ngjarje. Ndërkaq, burime nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se janë njohur me kërkesën e familjes Kurti dhe kanë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e saj nga ndonjë hakmarrje e fqinjëve, pas denoncimit të bërë dhe vënies në pranga të 23-vjeçarit Mandi Doku. Burime nga policia lokale thanë se një makinë rri te banesa e të dëmtuarve, ndërkohë që bëhen dhe patrullime të shumta gjatë 24 orëve për të shmangur përplasjet mes familjeve.
Familjarët
“Përpara disa ditësh më tregoi fëmija për këtë gjë. Më tha që i kishte lidhur duart e kishte abuzuar me të, ndërsa i kishte dhënë dhe një mijë lekë e i kishte thënë se nëse do të tregonte do ta vriste”, - tregon babai i të miturit, Pëllumb Kurti. Familja rome, e varfër, e gjendur në këtë situatë të rëndë, bën thirrje për mbrojtje nga shteti pasi ndihen të kërcënuar. “Shteti të më mbrojë se jam një fukara, nuk dua të kem probleme me familjen e tij. Kam frikë mos më vrasin, se unë shkoj për të punuar në Peqin e Gjirokastër, kam frikë mos më kapin fëmijët e më vrasin nusen”, - vazhdon më tej babai. I mituri nuk kishte treguar te prindërit derisa nëna e tij kishte konstatuar se 6-vjeçari kishte probleme. Menjëherë ajo e kishte dërguar në spitalin kirurgjik ku është vizituar nga mjeku roje Alban Hoxha, i cili gjithashtu ka konstatuar se vogëlushi kishte dëmtime fizike si pasojë e dhunës seksuale. Për shkak të mungesës së denoncimit nga ana e mjekut, i cili vizitoi 6-vjeçarin, policia e ka prangosur atë nën akuzën moskallëzim të krimit. Prindërit kërkojnë që fëmijës t’i kryhet një shërbim me psikologun pasi 6-vjeçari ka probleme. Gjithashtu, babai Pëllumb Kurti kërkon mbështetjen e policisë pasi familja e Dodës i ka kërcënuar me jetë nëse nuk tërheqin denoncimin.
Arrestimet
Dy ditë më parë, Policia e Elbasanit ka arrestuar Mandi Dodën për abuzimin me të miturin. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se ka qenë denoncimi i fëmijës 6-vjeçar me inicialet R. K. që ka çuar në pranga të riun. Gjithashtu, policia arrestoi edhe një mjek të spitalit kirurgjik të Elbasanit për moskallëzim krimi. Ai vizitoi fëmijën dhe vuri re shenjat e dhunës seksuale. Por ai nuk bëri denoncim në polici. Pikërisht ky veprim ka bërë që policia ta vë në pranga.

Arrestimi i mjekut, kolegët kërkojnë lirimin e menjëhershëm

Mjekët e Elbasanit në qendrën spitalore "Xhafer Kongoli" kanë lënë dje punën në shenjë proteste kundër arrestimit të mjekut kirurg Alban Hoxha, i cili u vu në prangat e policisë me akuzën e moskallëzimit të krimit. Sipas policisë, Hoxha konstatoi rastin e përdhunimit të të miturit dhe nuk kreu denoncimin në polici. Bluzat e bardha të Elbasanit, nëpërmjet kësaj proteste dhe një deklarate për shtyp, kanë shprehur indinjatën për masën ekstreme të ndërmarrë ndaj mjekut në fjalë duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij. Nga ora 12:00 deri në orën 13:00, urgjenca e spitalit të Elbasanit nuk ka funksionuar për shkak të kësaj greve.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›