E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimerren dëshmitë e familjarëve

Zhdukja e Bleona Matës, prokurorët e Krimeve të Rënda mbërrijnë në Zapod

KUKËS - Zhdukja e vajzës së mitur nga fshati Zapod i Kukësit, Bleona Mata, është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Prokurorët gjenden këto ditë në Zapod të Kukësit, ku po mbajnë kontakt edhe me homologët e Kosovës, për të zhvilluar në zonë hetime për zhdukjen e 6-vjeçares Bleona Mata. Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të zbardhur zhdukjen e mistershme. Pritet që prokurorët e Krimeve të Rënda të bëjnë një detajim të veçantë të të gjitha elementeve ekzistuese mbi zhdukjen e vogëlushes për të krijuar dhe pista të mundshme më afër së vërtetës. Ndërkohë, babai i vajzës, Zamir Mata, tri javë pas zhdukjes së fëmijës së tij duket se po hedh dyshime të forta mbi motrën dhe mbesat, të cilat kanë qenë dhe personat e fundit që kanë pasur kontakt me të miturën para zhdukjes së mistershme të saj. Sipas Matës, vajzat po mbajnë fshehur të vërtetën në një kohë që zhdukja e Bleonës tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare. Bleona e vogël kishte insistuar të shkonte në bjeshkë pasditen e 22 majit, ku kullotnin bagëtitë kushërirat e saj. Më pas zhdukja pa gjurmë, sikur mali të ishte çarë, ta kishte përpirë vogëlushen. Xhupi i 6-vjeçares do të mbetej e vetmja provë mbi të cilin Bleona kishte qenë e ulur në minutat e fundit. Disa ditë më parë u sollën për herë të parë dëshmitë e vajzave, të cilat vogëlushja i kishte ndjekur nga pas në mal pasditen e 22 majit. “I thashë të kthehej në shtëpi. Kur ktheva kokën pashë Bleonën të vinte pas meje. Ajo qante dhe kërkonte që të më vinte pas. Atëherë e ndihmova të kalonte rrugën e keqe. E çova te Alketa (halla e vajzës). E ulëm te xhupat për të pushuar dhe të gjithë zunë pozicionet e veta për të marrë bagëtitë”, - dëshmoi Qamile Mata, kushërira e Alketës. Edhe pse janë ofruar 3 milionë lekë për dhënien e informacionit për vendndodhjen e Bleonës, ende nuk ka shenjë apo të dhënë që mund të çonte drejt gjurmëve të saj.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›