E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Përgjithshme i dorëzon materiale shtesë Këshillit të Mandateve

Prokuroria e Përgjithshme i dorëzon materiale shtesë Këshillit të Mandateve

I ridërgon, sipas kërkesës së këtij të fundit

Prokuroria e Përgjithshme (PP) i ka dërguar dje Këshillit të Mandateve materialet shtesë të kërkuara prej tij, lidhur me heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Synimi kryesor i organit të përgjithshëm të akuzës ka qenë mosqenia e saj si pengesë për një vendimmarrje sa më të drejtë në Kuvend lidhur me këtë çështje. PP-ja i paraqiti dje këtij këshilli katër volume dokumentesh në lidhje me lejimin për procedimin penal ndaj deputetit republikan, Fatmir Mediu, bashkë me shkresën përcjellëse me sqarimet përkatëse. Dokumentet që Prokuroria e Përgjithshme i kishte paraqitur në Këshillin e Mandateve, dhe të cilat i ridërgoi sipas kërkesës së këtij të fundit, duke shtuar edhe pjesën tjetër të dokumenteve që kërkoheshin, edhe dokumente të sekuestruara në vazhdim të hetimeve, pas paraqitjes së kërkesës në Kuvend. Sipas burimeve të kësaj prokurorie, thuhet se kjo është përbërja e këtyre dokumenteve të dërguara në Parlament një ditë më parë. Ndërkohë, sipas të njëjtave burime thuhet: “Prokuroria po vazhdon hetimet dhe po ushtron ndjekje penale ndaj disa personave - civilë dhe ushtarakë – në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gërdec. PP-ja është e bindur dhe tërësisht e sigurt se do të bëjë të mundur nxjerrjen para përgjegjësisë së fajtorëve të 15 marsit”. Dërgimi i këtyre dokumenteve shtesë erdhi pas kërkesës së Këshillit të Mandateve lidhur me çështjen Mediu. Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka lidhje me tragjedinë e Gërdecit dhe për këtë organi i akuzës kërkon heqjen e imunitetit të këtij të fundit për t’i lënë rrugë më pas hetimit të mëtejshëm të prokurorisë. Në tragjedinë e ndodhur më 15 mars në periferinë e Tiranës humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Këshilli i Mandateve dhe kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, i cilësuan materialet e para të dërguara nga prokuroria si jo serioze dhe të paplota. Madje, për këtë kryeparlamentarja akuzoi PP-në për fshehje dokumentesh. Pas kësaj, Kryeprokurorja Ina Rama u shpreh “institucioni që ajo drejton ka dorëzuar të gjitha materialet që kishte në dorë dhe nuk bëhet fjalë absolutisht për fshehje dokumentesh”. Megjithëse, lufta në dukje mes këtyre institucioneve do të marrë fund pas dorëzimit të materialeve shtesë, sidoqoftë është Këshilli i Mandateve ai që do të vlerësojë vlefshmërinë e këtyre dokumenteve.

Presidenti bën transferime në Prokurori

me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bërë dje disa ndryshime në organet e akuzës së vendit. Këto ndryshime janë bërë në bazë të nenit 149, pika 3 e Kushtetutës “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Propozimi lidhur me funksionimin në mënyre sa më frytsjellëse të prokurorisë ka ardhur nga Prokurori i Përgjithshëm. Ky dekretim i kreut të shtetit hyn menjëherë në fuqi pas bërjes zyrtare të tij.

Dekretimet në fjalë janë bërë ndaj këtyre prokurorëve:

Ardian BRAHO transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Juljan XHENGO transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Genci QANO transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Arben NELAJ transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Lazer ÇARDAKU transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat; Alfred AGOLLI transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë; Avni KRAJA transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër; Sulejman TOLA transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë; Ylli BASHA transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë; Arben DYLA transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›