E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kullat”, rikthehet hetimi te Krimet e Rënda

12/12/2004  

Tiranë –Dy kallëzimet e Drejtorisë, kundër Pastrimit të parave në Ministrinë e Financave,janë transferuar nga Prokuroria e Tiranës në zyrat e hetuesve të Krimeve të Rënda. Burime zyrtare, nga ky institucion, thanë se pas dy kallëzimeve të Ministrisë së Financave, Prokuroria ka zbuluar edhe raste të personave të tjerë të dyshuar për pastrim parash e financim të veprimtarive terroriste. Ministria e Financave ia ka përcjellë Prokurorisë materialet dhe vendimin për të sekuestruar disa apartamente tek Kullat Binjake përballë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë. “Kullat Binjake” kanë qenë objekti i dyshimeve të Prokurorisë edhe më parë lidhur me burimet e financimeve dhe personat që i kryenin ato. Sekuestrimi i 22 apartamenteve tek Kullat Binjake, të cilat rezultojnë në pronësi të shtetasit Jasin Kadi është bërë pas përfshirjes së tij në listën ndërkombëtare të personave që financojnë terrorizmin. Abdul Latif Saleh është personi tjetër, i cili ka patur aktivitet në Shqipëri. Jasin Kadi dhe Adbul Latif Saleh janë kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës nga Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, menjëherë pas miratimit nga Qeveria shqiptare të listës ndërkombëtare të financuesve të terrorizmit. Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës i ka kaluar të dy dosjet te Krimet e Rënda për kompetencë hetimi. Ky institucion është duke verifikuar edhe për aktivitete të tjera të personave të dyshuar në Shqipëri. Disa prej këtyre aktiviteteve janë fondacionet e ndihmave humanitare, ndërtimet e banesave, spitaleve dhe kurset profesionale falas. T.S

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›