E Diel, 1 Nëntor 2026

Irak, gjendet i vrarë arqipeshkvi i rrëmbyer

Një arqipeshkv i rrëmbyer muajin e shkuar në Irak nga disa persona të armatosur, është gjetur i vdekur. Trupi i Paulos Faraj Rahho, arqipeshkvi i Mosulit, është gjetur në një kanal në afërsi të qytetit. Papa Benedikti XVI tha se ai ishte jashtëzakonisht i trishtuar nga ky lajm dhe e quajti vrasjen e arqipeshkvit, një akt jo human. Arqipeshkvi Rahho ishte rrëmbyer pak pas përfundimit të një meshe në Mosul, në Irakun Verior, më 29 shkurt. Sipas agjencisë së lajmeve SIR, rrëmbyesit u kishin thënë zyrtarëve të kishës në Irak, të mërkurën, se arqipeshkvi ishte shumë i sëmurë dhe më vonë, kishin njoftuar sërish se ai kishte vdekur. Gjithsesi, policia irakiane thotë se kushtet në të cilat ishte gjetur trupi i arqipeshkvit të bënin të mendohej se ai kishte vdekur të paktën një javë më parë. Nuk është bërë menjëherë e qartë nëse ai është vrarë apo ka vdekur për shkaqe natyrore. Askush ndërkohë nuk e ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e tij. Arqipeshkvi 65-vjeçar, është i fundit në një varg të gjatë klerikësh katolikë që janë rrëmbyer në Irak që pas pushtimit amerikan, në mars 2003. Tre shoqërues të tij, një shofer dhe dy roja, ishin vrarë nga personat e armatosur. Vetëm të dielën e shkuar, Papa Benedikti kishte apeluar për lirimin e arqipeshkvit. Një zëdhënës i Vatikanit, ati Federiko Lombardi, tha: "Dhuna absurde dhe e pajustifikuar vazhdon të rëndojë mbi njerëzit në Irak dhe në veçanti mbi komunitetin e vogël kristian, për të cilin Papa po lutet i zhytur në trishtim. Kjo ngjarje tragjike nënvizon edhe një herë tjetër domosdoshmërinë që të gjithë ne, veçanërisht komuniteti ndërkombëtar, të punojë për kthimin e paqes në një vend që është torturuar kaq shumë". Kryeministri irakian, Nouri al Maliki, ndërkohë, tha se ata që qëndronin pas rrëmbimit të arqipeshkvit, nuk do të mund t‘i shpëtonin drejtësisë. "Është një krim i tmerrshëm, i një bande kriminale e terroriste", tha ai. Arqipeshkvi i vrarë, ishte lider i Kaldeanëve, sektit më të madh mes të krishterëve të Irakut, që para rrëzimit të Sadamit, numëronte rreth 800 mijë ndjekës. Shumë prej tyre kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të vazhdueshme kundër tyre. Ndërkohë, dhuna është kthyer në Irak. Të mërkurën, një autobombë në kryeqytetin Bagdad, u mori jetën të paktën 12 personave dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Policia tha se bomba ishte vendosur në një makinë të parkuar në afërsi të sheshit Tahrir, një zonë tregtare në afërsi të zonës së gjelbër, të fortifikuar, ku edhe gjendet pjesa më e madhe e zyrave qeveritare irakiane dhe ambasada amerikane. Ky është sulmi më i fundit në Bagdad, pas disa muajsh qetësie relative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›