E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja kërcënon me thikë 9-vjeçaren

Kanosja/ Donika Abasllari ka shkuar në shkollën e vajzës së fqinjës dhe e ka kërcënuar se do ta vrasë

E mitura është mbajtur për dhjetë minuta nën terrorin e 43-vjeçares, e cila ndër të tjera ka fyer edhe familjarët


KORÇË - Një vogëlushe, nxënëse e klasës së tretë të shkollës artistike "Tefta Tashko Koço", është kanosur me thikë nga një 43-vjeçare në ambientet e shkollës ku ajo ndodhej.


Ngjarja është zhvilluar dje, ndërsa Donika Abasllari, banore e lagjes 17 të Korçës është shoqëruar për në komisariat nga uniformat blu, pas denoncimit të kryer ndaj saj.

Shkak për kërcënimin ndaj së miturës duket se ka qenë një konflikt i gruas me familjarët e 9-vjeçares, por që Abasllari ka vendosur të hakmerret duke terrorizuar vogëlushen.

Ngjarja


Donika Abasllari, banore e lagjes 17, e pajisur me një thikë ka shkuar në shkollën artistike, ndërsa shënjestra e saj ka qenë një vogëlushe, nxënëse në klasën e tretë të kësaj shkolle. Vajza e mitur, në fakt, jeton në të njëjtin pallat me gruan, madje në të njëjtin kat.


Sipas burimeve të policisë së Korçës, 43-vjeçarja ka pasur një konflikt me familjen e vogëlushes duke iu krijuar familjarëve të saj probleme të njëpasnjëshme. Madje, ajo është kthyer dhe në një shqetësim për krejt banorët e pallatit. Por duket se konflikti i saj ka shkuar shumë më tej.


Donika Abasllari ka shkuar në shkollën e vajzës të cilën e ka kërcënuar me thikë se do ta vrasë, madje i ka fyer dhe nënën e saj.


Tmerri që ka përjetuar e mitura ka qenë i madh, ndërkohë që gruaja ka nxjerrë thikën me të cilën ka prekur në trup vajzën e traumatizuar.


Situata ka qenë e rëndë, ndërsa e mitura është përjekur të shpëtojë, ndonëse 43-vjeçarja e ka mbajtur për më shumë se 10 minuta nën terror.


Mësohet se gruaja i ka thënë se me atë thikë do ta vriste, duke e bërë 9-vjeçaren të lëshohet në lot. Më pas është larguar nga shkolla, ku ka realizuar planin e saj.

Hetimi

Nuk dihet nëse "vizita" në shkollë e gruas ka qenë për një kërcënim apo shumë më tepër se kaq, pasi vajza është përpjekur të largohet me vrap duke i shpëtuar ndonjë hakmarrjeje të mundshme.


Menjëherë, ajo iu ka rrëfyer mësuesve dhe më pas prindërve të saj të cilët kanë kërkuar me mjaft urgjencë ndihmën e policisë së Korçës. Këta të fundit kanë nisur hetimin, ndërkohë që kanë shoqëruar për më shumë se12 orë në komisariatin e juglindjes gruan. 43-vjeçarja akuzohet për veprën penale të "kanosjes".


Ndërkaq nxënësja në klasën e tretë nuk ka shkuar në shkollë e tmerruar se fqinja e saj agresore mund ta vriste me thikën që i ka treguar dhe me të cilën e ka kërcënuar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›