Gjykata hap gjyq, nëna e Edi Ramës, padi Berishës
TIRANE - Gjykata e Lartë përcaktoi dje togat e zeza që do shqyrtojnë dy paditë kundër kryeministrit si dhe një mes dy deputetëve të qarkut të Kukësit. Padia e parë është ajo që Aneta Rama, nëna e Edi Ramës, kryebashkiakut të Tiranës dhe kryetarit të Partisë Socialiste depozitoi në gjykatë pak ditë më parë, duke e akuzuar kryeministrin për fyerje dhe shpifje të bëra publikisht. Nëna e Edi Ramës ka kërkuar nga gjykata, shqyrtimin e padisë së saj, thirrjen e kryeministrit për të vërtetuar akuzat dhe më pas dhënien e vendimit me dëmshpërblimin e saj për deklaratat e pavërteta të bëra publikisht, sipas saj. Në njoftimin zyrtar për mediat, Gjykata e Lartë pohoi dje se: "Në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në këtë institucion, në ngarkim të të akuzuarit Sali Berisha, paditur prej të dëmtuarit akuzues Aneta Rama. Pas hedhjes së shortit me gogla, midis të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet nga gjykatësja Evgjeni Sinoimeri, relatore e çështjes dhe gjyqtarët Ardian Nuni, Ardian Dvorani, Andi Celiku dhe Irma Bala. Në fund të njoftimit për shtyp, Gjykata e Lartë pohoi se gjatë ditës së djeshme u hodh shorti për të përcaktuar edhe trupin gjykues që do të shqyrtojë padinë e deputetit socialist të qarkut të Kukësit Asllan Dogjani ndaj rivalit të tij demokrat Fatos Hoxha. Kjo çështje i është besuar gjyqtares Mirela Fana, e cila është relatore e çështjes, ndërsa anëtarë janë gjykatësit Besnik Imeraj, Irma Bala, Evelina Qirjako dhe Aleksander Muskaj. fa.ma.