Mustafa Nano, një libër për provincën
Një libër personal dhe i sinqertë. Ky është libri i Mustafa Nanos. Dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, u prezantua "Hinterlandi i kuq - 20 vjet më pas", libri eseistik i gazetarit dhe analistit Nano. Prej disa ditësh, kjo vepër, pjesë e kolonës eseistike të UET/Press, ka shkuar tek lexuesi, i cili me siguri ka gjetur aty diçka nga vetja. Po duket se Nano kishte nevojë të thithte ndjesitë që libri i tij ka krijuar te ta. Për administratorin e UET, Henri çili, vepra e Nanos është një nga ato vepra të rralla që janë dëshmi e një kohe të shkuar e që dalë ngadalë ka nisur të harrohet. Veçse kur merr në duar "Hiterlandin e kuq", shumëkush, pavarësisht se ku ka jetuar, në çorovodën e Mustafa Nanos, apo në këdo provincë shqiptare ka gjetur një pjesë të kujtimeve të tij. Për studiuesin Pirro Misha, në rastin konkret kemi të bëjmë me një libër tepër personal. "Ajo që të bie në sy është që Mustafa Nano është i sinqertë me veten dhe me lexuesin. Ai e sjell të kaluarën e tij ashtu si e ka jetuar. Ai nuk ka nevojë të ndërtojë një të kaluar alternative" u shpreh Misha. Vetë Nano u shpreh se ndihet mirë që ka bërë një libër për çorovodën, provincën ku ai është rritur e ku ka jetuar një eksperiencë, sipas të cilit duhet ta njohë çdokush, aq më tepër njerëzit e medias. Duke huazuar një thënie të Shën Agustinit, që kur e pyesnin për kohën ai u thoshte se "kur më pyesin nuk e di, ndërsa kur më pyesin e di", Nano tha se me këtë libër ai u ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që shpesh e pyesin se ç'është provinca. Libri i Nanos është një gërshetim i së vërtetës së jetuar dhe krijimtarisë. "Aty ku flas për veten jam tërësisht unë dhe çdo gjë është e vërtetë, ndërsa pjesë të tjerë, për personazhe të njohur ose jo, janë edhe fryt trillimi", tha ai. Libri Titulli: "Hinterlandi i kuq - 20 vjet më pas"Autori: Mustafa NanoBotimet: UET/PRESSçmimi: 500 lekëNr i faqeve: 115