Lamtumirë për shqipëruesin e Homerit e Dantes
Alma Mile Duket sikur gjenitë i ndjek pas i njëjti fat. Ikin në heshtje, gati të harruar, pse jo edhe të varfër. Ky fat ndoqi edhe Pashko Gjeçin, përkthyesin gjeni që solli në shqip Homerin, Danten, Gëten, që i drejtoi shqiptarët të ndiqnim aventurat e Odisesë, të kalonin nëpër rrathët e Ferrit e më tej në Purgator e Parajsë, apo të jetonin rininë e përjetshme të Faustit. U nda nga jeta mbrëmjen e së mërkurës. Jetoi gati një shekull, plot 92 vjet. Një jetë e mbushur si e askujt tjetër. Dje në mesditë, në ambientet e Teatrit Kombëtar, iu dha lamtumira e fundit. Të shumtë ishin ata që dëshiruan të përshëndeteshin për të fundit herë me përkthyesin e madh dhe burrin e urtë, Pashko Gjeçi. Por as kurorat me lule dhe as fjalët e bukura të qeveritarëve, nuk e shlyejnë dot borxhin që kanë ndaj tij, breza të tërë politikbërësish. "Unë mendoj se detyrimi ynë ndaj Pashko Gjeçit nuk mund të shlyhet kurrë. Kujtoj që në vitin 2006 kam bërë kërkesë në presidencë për t'i dhënë një medalje, e kam përsëritur në vitin 2009, uroj që t'ia japin të paktën pas vdekjes" tha dje pas homazheve, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Pashko Gjeçi ishte gjeniu i shqipërimit të kryeveprave botërore, tha ndër të tjera, Kryetarja e Kuvendit. “Ai përktheu mrekullitë e letërsisë botërore. Ishte një erudit nga ata që lindin një herë në 100 vjet dhe për gjeninë e tij u arrestua në '47-ën si armik. U dergj në burgjet e diktaturës, porse ai kurrë nuk nxorri një fjalë të keqe. Edhe pas daljes nga burgu, vazhdoi të përkthejë. Përktheu Komedinë Hyjnore të Dante Aligierit, përktheu Homerin, përktheu "Faustin" e Gëtes, përktheu poezitë e Leopardit, përktheu Hamletin dhe ka përkthime të tjera të cilat ende nuk janë botuar”. Gjatë diktaturës komuniste, Pashko Gjeçi vuajti padrejtësisht 5 vite burg, hije, që do e ndiqte deri në rënie të sistemit, ndërsa më pas, askush nuk u kujtua më për të. Në vitet e fundit të jetës u nderua me ndonjë çmim honorifik, por gjithsesi, të gjithë janë të bindur, se nderet nuk iu bënë të gjitha. "Letrave shqipe do i mungojë një kolos, një mendje dhe një penë e papërsëritshme. Një njeri i dashur me të gjithë, që kurrë nuk kërkoi asgjë. Ai e mbylli jetën në një shtëpi të errët, të vogël, në një mizëri ekonomike, pa përkrahjen e shtetit, as atëherë dhe as pas ardhjes së demokracisë", thotë Pëllumb Xhufi, i cili ruan kujtimet më të mira për profesorin e tij të latinishtes. Një tjetër nxënës i tij, përkthyesi i njohur Shpëtim çuçka thotë se Gjeçi iku nga kjo botë i harruar nga shteti. Sipas tij, Pashko Gjeçi nuk ishte njeri mediatik, e si i tillë ai nuk arriti të vlerësohej sa duhet. "Nuk ishte faji i tij, por mëkati i kohës", thotë çuçka. Në homazhet e zhvilluara dje mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili vlerësoi gjeninë e Gjeçit, përkthyes i kryeveprave të letërsisë botërore. Pashko Gjeçi lindi në Shkodër më 7 shtator të vitit 1918. Mbaroi shkollën e Jezuitëve si dhe gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Që në moshë të re, aty rreth vitit 1934, përktheu disa poezi të poetit italian, Xhakomo Leopardi. Në shkollë nisë të mësojë mirë italisht, më pas në gjimnaz, greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë në të cilat përktheu thesaret e letërsisë botërore. Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asaj kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Gjithnjë do të kujtonte më pas me nostalgji leksionet e prof. Ernest Koliqit edhe pse shoqërimi me të do t'i kushtonte atij në kohën e diktaturës jo pak, por 5 vjet heqje lirie. Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet me gradën Doktor Shkencash në letërsi. Pas kthimit në atdhe, pasi disa vitesh më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën "Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit". Në lirim e transferojnë në Fushë Krujë ku punoi shumë gjatë për përkthimin e "Komedisë Hyjnore" të Dante Aligerit. Menjëherë pas botimit të "Komedisë Hyjnore" nisi të përkthente një tjetër vepër të madhe të letërsisë botërore Odisenë e Homerit. Emri i Pashko Gjeçit i ka tejkaluar tanimë përmasat kombëtare, duke tërhequr vëmendjen dhe gëzuar respektin edhe të Presidentit Italian çampi i cili e ka dekoruar atë në vitin 2004 me dekoratën "Ordine de la stela, de la solidarita italiana". Po ashtu Pashko Gjeçi është laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Në kuadër të 90- vjetori të lindjes, përkthyesi i shquar Pashko Gjeçi nderohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me çmimin Kombëtar të Përkthimit "Fan Noli", për kontributin e madh dhe vlerat që ka përcjellë në kulturën shqiptare me përkthimin mjeshtëror të veprës "Fausti" të Gëtes.