E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Masat për të evituar epidemitë

 zirina llambroMonitorim në vazhdimësi i ujit të pijshëm, kontroll i sëmundjeve infektive dhe asistencë maksimale nga personeli mjekësor. Këto janë disa nga masat që janë marrë në zonat e përmbytura të qarkut të Shkodrës. Në fokus të punës ka qenë  mbrojtja e shëndetit të personave të evakuuar, nga shtëpitë e tyre në qendra grumbullimi dhe  kujdesi për personat në zonat e izoluara. Vëmendje maksimale i është kushtuar situatës epidemiologjike. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë raportimit të djeshëm në komisionin parlamentar theksoi se nuk ka rrezik epidemie në këtë zonë. Vasili së bashku me Ministrin e Punës, Spiro Ksera kanë informuar deputetët mbi planin konkret të masave që do të zbatohen deri në rikuperimin e situatës. "Masat e marra konsistojnë në eliminimin e rrisqeve të mundshme. Ne kemi miratuar një plan, aty janë vendosur të gjitha momentet si do të drejtohet më tutje kjo sasi e grumbullimit të ujërave të zeza në ujësjellës dhe cila është masa sanitare. Të dhënat sanitare për ujësjellësit janë plotësisht të shëndetshme, dhe nuk ka asnjë shfaqje të ndonjë elementi epidemik", tha Vasili. Ndërkaq Ministri i Punës Spiro Ksera deklaroi se në zonë po vijon shpërndarja e ndihmave shtetërore, shteteve fqinj, të subjekteve private dhe OJF-ve të ndryshme. Ksera premtoi përfshirjen e familjeve të përmbytura në skemën e ndihmës ekonomike. "Ky grup ka kontaktuar me përfaqësues të pushtetit vendor të zonës, u ka kërkuar këtyre të fundit që të përfshijnë në listat e të përmbyturve të zonës në skemën e ndihmës ekonomike të gjitha familjet e dëmtuara në këtë fatkeqësi natyrore. Flitet që së shpejti ndoshta pasi të ketë mbaruar kjo fazë emergjence për fillimin e paraqitjes nga fermerët të dhënat e sakta të familjeve të dëmtuara, të cilat do t'i bashkangjiten skemës aktuale të ndihmës ekonomike në qarkun e Shkodrës", u shpreh Ksera. Sipas të dhënave  nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se gjatë ditëve të përmbytjes, mbi 370 bluza të bardha në vendngjarje kanë realizuar mbi 7 mijë vizita mjekësore, nga të cilat nuk ka rezultuar asnjë rast me komplikacione. Po kështu është dhënë shërbim 24 orë në të gjitha zonat e dëmtuara. Ministria e Shëndetësisë ka siguruar të gjithë sasinë e barnave të nevojshme si anibiotikë, anti hypertensive, kardiake, anti depresiv, anti inflamatore, gastro intestinale etj, në sasira të bollshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›